Nga 30 gushti e deri më 8 shtator do të shtohen trupat e KFOR-it në Kosovë

0
212

Gjatë muajve gusht dhe shtator, Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO (KFOR) do të zhvillojë një Ushtrim për Trajnim dhe Stërvitje Operacionale, kjo do të rezultojë në një rritje të përkohshme të trupave në terren.

“Një kontigjent i vogël ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të arrijë në Kosovë më 13 gusht, me detyrën për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për të strehuar një kontigjent më të madh të NATO -s që do të marrë pjesë në stërvitjen e përmendur. Trupa shtesë nga aleatët e tjerë të NATO -s, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Rumaninë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar do të arrijnë deri në fund të gushtit.

Stërvitja do të mbahet nga data 30 gusht deri më 8 shtator. Aty do të përfshihen skenarë të kontrollit të turmës dhe trazirave, aktivitete të lirisë së lëvizjes dhe operacione të sigurisë që synojnë ruajtjen e një niveli të lartë gatishmërie. Në përfundim të stërvitjes, të gjitha forcat shtesë do të largohen nga Kosova dhe do të kthehen në vendet e tyre përkatëse”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit thuhet se kjo përfaqëson një ngjarje rutinë, nën emërtimin “OPREH Niveli II”.

“Trupat nga vendet aleate stërviten së bashku me njësitë e KFOR -it si pjesë e Forcës Operative Rezervë. Edhe pse gjasat janë te vogla, forcat rezervë shtesë të NATO -s mund të thirren në rast se KFOR-it i nevojitet ndihmë në zbatimin e mandatit të saj të OKB-se për të ruajtur një mjedis të qete dhe të sigurte si dhe për te siguruar liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Komunitetet lokale mund të vërejnë një sasi të shtuar të lëvizjes së automjeteve, që rezulton nga transporti i automjeteve të blinduara ndërsa njësitë mbërrijnë në përgatitje”, thuhet në njoftim.