Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator skadon zotimi i Serbisë për të mos lobuar për çnjohjet e Kosovës dhe pas kësaj date, Beogradi është gati që të nisë fushatën e tyre.
E në këtë kuadër, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se fill pas kësaj date është gati tërheqja nga njohja e Kosovës e një shteti. Bëhet fjalë për një vend të vogël ishullor, njohur si Ishujt Comoro të vendosur në kanalin mes Madagaskarit, Tanzanisë dhe Sejçeles.
Këta ishuj kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në vitin 2009, ndërkohë që tërheqja e njohjes së njoftuar nga Ivica Daçiç është pasqyruar në mediat serbe.
Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ish-Presidentit Donald Trump ndalonte për një vit fushatën serbe të çnjohjeve të Kosovës dhe po me një vit Kosovën nga lobimi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Marrëveshja gjithashtu parashikonte që të dyja vendet të zhvendosnin ambasadat e tyre në Jeruzalem. Kosova e mbajti këtë premtim dhe Ambasada e saj ndodhet aktualisht në Jeruzalem dhe në këmbim Izraeli ka njohur Pavarësinë. Ndërkohë, Serbia është tërhequr nga ky premtim dhe vijon ta mbajë ambasadën e saj në Tel Aviv.