Deputeti i partisë së të djathtës ekstreme në Gjermani, AfD, Tino Chrupalla, është turpëruar nga një pyetje e thjeshtë e një fëmije, përderisa po zhvillonte intervistë me të.
Chrupalla nuk mundi ta përmendte emrin e asnjë poeme gjermane gjatë intervistës për një program për fëmijë, ndonëse para disa sekondave e kishte theksuar rëndësinë e mësimit të këngëve popullore dhe poemave gjermane në shkollë.
Deputeti në fjalë është kandidat edhe për zgjedhjet që do të mbahen javën e ardhshme në Gjermani. Ai u zu ngushtë nga pyetja që po i bëhej në intervistën që u transmetua në programin për fëmijë të televizionit ZDF.
Kur politikani i tha djaloshit që po e intervistonte se fëmijët duhet të mësojnë më shumë poema gjermane në shkollë, fëmija ia ktheu: “Mendoj se tashmë kemi shumë poema për t’i mësuar përmendsh në shkollë. Cila është poema juaj e parapëlqyer gjermane?”
Pasi mendohet pak, politikani i thotë: “Poema ime e parapëlqyer…, më duhet të mendoj për këtë. S’po më kujtohet asnjë.”
Për t’ia larguar pak turpërimin, djaloshi e pyeti më pas politikanin për shkrimtarin e parapëlqyer. Chrupalla tha se shkrimtari i tij i parapëlqyer është Heinrich Heine.