Në Kosovë, sipas mediave serbe të afërta me pushtetin, nata kaloi e tensionuar por paqësisht pas vendosjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Ndërkohë, siç shkruajnë këto media, përcjell Telegrafi, sot në orën 10 të paradites do të mbahet një seancë urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, në të cilën tema kryesore do të jenë ngjarjet në Kosovë.
Pas Jarinjës, pankartat me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe” u shfaqën mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës, raporton një media lokale në gjuhën serbe nga veriu i Kosovës, Kosova online.
Sipas mediumit në fjalë, afishet ishin vendosur në hyrje të qytetit, si dhe në vetë qytetin, përcjell Telegrafi.
Blic.rs, gjithashtu shkruan se dje helikopterë të forcave të KFOR-it fluturuan mbi këtë zonë, të cilët vlerësuan se situata në terren ishte e qëndrueshme.
Ndërkohë në pikat kufitare, Jarinjë, Bërnjak dhe Merdarë janë konfiskuar targat me regjistrim dhe me shenja nga Serbia, të cilat pastaj duhet të marrin targa provuese dhe të paguajnë një tarifë, e cila kushton pesë euro dhe është e vlefshme për dy muaj.
Ndryshe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar me magji diçka që nuk ishte shkruar askund”.
Vuçiq njoftoi se masat e palës serbe do të diskutohen në seancën e sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të caktuar për orën 10 të mëngjesit.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se duke vendosur reciprocitet në targat me Serbinë, Kosova në thelb ka zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Brukselit.
E zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se tensionet duhet të ndalen dhe se dialogu është një vend për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla.
Ndërsa Dusan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka vlerësuar se situata aktuale në kalimet kufitare me Kosovën është pasojë e “lojës së rrezikshme” që Beogradi dhe Prishtina po “luajnë”, dhe që biznesmenët dhe qytetarët e thjeshtë do të paguajnë çmimin më të lartë.