Po vazhdon në Hagë gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ku dëshmitari i parë kundër tij ka thënë se ka pasur probleme shëndetësore, por kur është mjekuar në spital nuk ka treguar që ato ia ka shaktusr UÇK’ja.
Avokati Julius Von Bone ka pyetur dëshmitarin lidhur me një dokument mjekësor, ku një pjesë ka qenë e redaktuar dhe nuk është dhënë për publikun.
Avokati Von Bone: A është e vërtetë se ke shkuar, ke qenë në këtë klinikë universitare dhe ajo që lexova këtu a është e saktë?
Dëshmitari: Me thënë të drejtën mua në atë kohë më ka ardhur marre me shkua të mjeku me thënë më ka rr*h UÇK-ja, por kam thënë jam i sëmurë, çka kam nuk e di.
Avokati Von Bone: Pse të vinë marre, a e njihje mjekun, a kishe ndonjë arsye pse të vinte marre?
Dëshmitari: Marre edhe këtu që po e përmend që më ka rr*h UÇK-ja e lere më të mjeku. Nuk është mirë me më rr*h, nuk u kanë mirë.
Avokati Von Bone: Nuk është mirë me e gënjye doktorin, a po pajtohesh me mua që nuk është mirë me gënjye doktorin. Pra, pse ti një njëri që ishe viktimë që të kishin rr*h të vinte turp nga një mjek spitali.
Dëshmitari: Nuk e di ndoshta unë budalla, më ka ardhur marrë kam thënë ashtu. Nuk e kam mësua mjekun, ai më ka bërë operacion, a e di, unë nuk e di qysh e tek.
Avokati Von Bone: Ke shkua prapë të ai mjek, më vonë a i ke tregu çka të ka ndodh?
Dëshmitari: Jo nuk i tregova, nuk pata nevojë. Ai më ka vet çka ke, unë i thash nuk e di çka kam, ai më ka bërë operacion, unë nuk e di.
Gjatë kësaj seance, avokati ka bërë të ditur se në dokumentin mjekësor është thënë se dëshmitari ka pasur ankesa të ndryshme lidhur me pagjumësinë për një periudhë një vjeçare.
Avokati Von Bone: Si ka mundësi që mjeku apo kush ka shkruar këtu, vetëm një periudhë një vjeçares jo më shumë.
Dëshmitari: Po se atëherë ka filluar me më dhimb koka.
Në këtë seancë avokati mbrojtës ka pyetur dëshmitarin edhe rreth kërkesës së tij për dëmshpërblim nga gjykata, por një pyetje të tillë e ka kundërshtuar gjykatësja.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se pyetje të tilla nuk do të lejohen.
“Sa i takon pyetjes suaj avokat mbrojtës pyetja juaj ishte ‘çfarë lloj dëmshpërblimi kërkon’. Këtë lloj pyetje nuk do ta lejojmë”, ka thënë Mappie Veldt-Foglia
Në këtë seancë mbrojtja ka përfunduar pyetjet e rregullta për dëshmitarin e parë ndërsa seanca po vazhdon me pyetje shtesë nga prokurori.