Kryetari i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti ka thënë për gazetën “Bota sot” se lajmi i publikuar sot në medie për kthimin e eshtrave të babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti nga Serbia në Kosovë është i pavërtetë dhe tendencioz.
Ndërkaq, Hoti në një postim në Facebook ka shkuar edhe më tej duke thënë se ai dhe familja e tij janë ndjerë të shqetësuar për raportimin në fjalë.
“Liria e medias është vërtet armë e rëndësishme për demokracinë dhe qytetarët, por kur ajo keqpërdoret vret dhe terrorizon. Shqetësimi që na ka shkaktuar mua dhe gjithë familjes publikimi i lajmit të rremë sot nga Albanianpost me titull: “Ekskluzive: Ukshin Hoti kthehet në Kosovë”, nuk është pasojë vetëm e joprofesionalizmit dhe mungesës së etikës, por edhe i tepruar e i papranueshëm në aspektin njerëzor”, u shoreh Hoti.
I revoltuar nga një degradim i tillë komunikimi me ndjenjat e familjeve, Hoti kërkoi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që të reagojë dhe të distancohet publikisht ndaj këtij mediumi dhe autores, e cila sipas tij ka lansuar një të pavërtetë të rëndë e tronditëse, duke shkelur parimet profesionale dhe etike të gazetarisë.
“Jo vetëm që s’ka denjuar të verifikojë “burimet” te Komisioni që merret me çështjen e personave të zhdukur me forcë, por nuk ka treguar as maturi profesionale e morale pas reagimit tim mohues ndaj këtij lajmi. Krahas indinjatës së thellë si Kryesues i Komisionit për degradimin etik e profesional në këtë rast, nuk më duket rastësi që kjo ndodh vetëm një ditë para takimit rajonal për fatin e personave të zhdukur në Podgoricë, ku përfshihet edhe Serbia!?”, u shpreh ai.
Sidoqoftë, Hoti tha se lidhur me këtë lajm të rremë dhe për shkak të shqetësimit të familjes e opinionit në përgjithësi, do të ndërmarr hapat procedural për të ngritur padi ndaj këtij mediumi dhe gazetares në fjalë.
“Të pavërtetat, sado interesante apo ekskluzive që mund të duken, mbeten të dëmshme dhe të dënueshme”, potencoi ai