Në Bruksel, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të hiqen bllokadat nga serbët afër pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, por nga ajo pjesë të largohet edhe Policia Speciale e Kosovës. Po ashtu, palët janë pajtuar të vendosjen e etiketave ngjitëse në veturat që hyjnë nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.
Lidhur me këtë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takohet me emisarin special të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi do të mbahet në selinë e NATO-s.
“Ditët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg foli me Presidentin Vuçiç dhe Albin Kurti për nevojën e de-përshkallëzimit, shfaqjes së përmbajtjes dhe kthimit në dialog; dhe mezi presim që Nesër të kemi Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor Miroslav Lajčák , ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut”, thuhet në komunikatën e NATO-s për media.
Tutje thuhet se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun nga BE-ja dhe përpjekje të tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është çelësi për stabilitetin në të gjithë rajonin”, thuhet në komunikatë.