Merkel flet pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin

    0
    317

    Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel foli për takimin që e pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilin mori pjesë së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron.

    Merkel tha se bisedoi me Kurtin dhe Vuçiqin për zgjidhjen e problemit, duke theksuar se Procesi i Berlinit pati efekt pozitiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkan.

    “Është e vështirë, por ka një përparim të vogël”, u shpreh Merkel.

    Kancelarja gjermane tregoi se pjesëmarrësit në samitin BE-Ballkani Perëndimor ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës, por ajo tha se nuk e mbështeti dhënien e një date të caktuar këtyre vendeve për pranimin e tyre në BE.

    “Unë nuk e kam mbështetur idenë për t’ua dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor një datë të caktuar për pranimin e tyre në Bashkimin Evropian”, tha Merkel në samitin BE-Ballkan Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë, raporton Reuters.

    “Unë me të vërtetë nuk besoj në caktimin e një date, por besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të përmbushen kushtet, pranimi mund të realizohet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit.

    Ajo përmendi shembullin e Malit të Zi, i cili ka shumë kapituj të hapur, duke thënë se mund t’i mbyllë ato brenda pak vitesh.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tregoi se me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq folën për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.

    Ndërkaq Vuçiq, pas takimit e theksoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, do të jetë temë diskutimi në takimin e radhë me Kurtin.