Deputeti i VV’së suImon gazetarin Pozhari, ia zbulon biznesin me vëllain e Kryetarit nga LDK

0
188

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, ka suImuar sot gazetarin, Xhevdet Pozhari, pasi ky i fundit ka lavdëruar kryetarin e Vushtrrisë që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahirin.

Muzaqi ka zbuluar se Pozhari është bashkëpronar i një medium bashkë me vëllain e Xhafer Tahirit, Ahmet Tahirin. Ai tutje ka shkruar se ka ofruar një fakt që dëshmon se vlerësimet e Pozharit për kandidatët për kryetar të Vushtrrisë nuk janë të paanshmë.

“Ja një fakt sa për të dëshmuar që analisti Xhevdet Pozhari nuk ishte i paanshëm në vlerësimet e kandidatëve për Vushtrrinë.

Në mënyrë djallëzore duke u shitur kinse mbështetës i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë misionin e tij kryesor duke mbivlerësuar Xhaferin, partnerin e tij në biznese për të cilat faktet tjera do publikohen”, ka shkruar Muzaqi, raporton Gazeta Express.

Lidhur me reagimin e deputetit Muzaqi, ka reaguar vetë Pozhari, duke thënë se është fakt që të gjithë e dinë që është bashkëpronar në portalin 24-orë.info

“Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje paska shkruar një fakt që e dinë të gjithë, se unë jam bashkëpronar në portalin 24-ore.info

Po, z. Muzaqi, unë punoj dhe jetoj nga rroga. Lëvizjen Vetëvendosje e kam përkrahur që në këtë vend të vjen ndryshimi dhe të gjithë të kenë mundësi të barabarta. Reagimi ndaj kandidatit tuaj ishte pikërisht pse ai e potencoi disa herë se do të jetë më i privilegjuar shkaku i nivelit qendror, gjë që ma rikujtoi kohën e Hashim Thaçit kur premtonte qindra miliona euro për komunat që i udhëhiqte PDK-ja. Pra, edhe në atë situatë unë e mbrojta Albinin, e kandidati juaj e sulmoi duke e barazuar me mendësinë e Thaçit.

Njëjtë sikundërse edhe kandidatit të LDK-së i thashë se nuk është korrekte që të mirat e qeverisjes t’ia atribuojë vetvetes, e të këqijat VV-së kur ka qenë pikërisht VV-ja që e ka ndihmuar të bëhet kryetar dhe keni bashkëqeverisur për tre vite ‘mirë ose keq’, le ta vlerësojnë qytetarët.

Por, askush nuk ka pritur që gjatë kësaj qeverisje ti ta punësosh gruan dhe bashkëpartiakë të tjerë familjarët. Përfshirë edhe kandidatin që e keni në garë i cili e ka punësuar vëllain.

Kjo është arsyeja kryesore se pse ju, z. Muzaqi nuk jeni kandidat sot, por është përzgjedhur dikush tjetër. Albin Kurti nuk është i verbër që mos ta sheh se çfarë keni bë në Vushtrri. Me aq pak pushtet, jeni tjetërsuar komplet. Keni vjedh edhe në subvencione të bujqësisë, siç është rasti i asambleistit tuaj. Po sikur të kishit më shumë pushtet?

E, surrati juaj merret me punën time që e bëj me nderë pa kërkuar kurrë asnjë ndihmë e as favor nga Qeveria”, ka shkruar Pozhari.