7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Republika Sërpska s’mund të shkëputet, Escobar viziton Bosnjë-Hercegovinën

Rekomandime

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të arrijë sot në Sarajevë, në kohën e rritjes së shqetësimeve se Republika Sërpska mund të shkëputet nga ky vend.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnjë e Hercegovinën.

- Advertisement -

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, në vitet 1990.

Escobar ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 5 nëntor se njerëzit në Bosnjë e dinë që komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për t’u siguruar që “të zbatohen përkushtimet për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”, duke shtuar se “ne jemi të përkushtuar se nuk do të ketë luftë”.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës, ka kërcënuar së fundmi me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

- Advertisement -

Escobar ka thënë se secili motiv që dëmton Marrëveshjen e Dejtonit është “shumë destabilizues në rajon”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë edhe më parë se nuk ka “rrugë kushtetuese” për Republikën Sërpska që të tërhiqet njëanshëm nga institucionet shtetërore.

- Advertisement -

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar ditë më parë se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt ka thënë se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnjë do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.

Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnjë aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa.

NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnjë.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit