Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vazhduar të bëjë thirrje për përkrahje të Arben Vitisë në garën e tij në Komunën e Prishtinës.
Madje Kurti ka shkuar edhe më larg duke thurur fjalë të ëmbla për Vitinë.
Kurti tutje e quajti “gojëmbël” kandidatin e kësaj parti për kryetar të Prishtinës, Arben Vitinë, transmeton Kosova ime.
Ndërsa duhet përkujtuar që kryeministri Kurti gjatë këtyre ditëve gjithë fokusin e ka tek zgjedhjet lokale dhe tek kandidatët e partisë së tij në këto zgjedhje.
Pavarësisht punëve të rëndësishme në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Kurti kohën më të madhe po ia kushton takimeve me qytetarë dhe përfaqësuesit e partisë së tij në zgjedhje.
Sipas Kurtit, Vitia është njeri i urtë, i pathyeshëm dhe palodhshëm.
“Gojëëmbël me qytetarët dhe i pakompromis në punë.
Tamam si mjek i mirë që sillet me dashamirësi me pacientët dhe është i saktë me terapinë.
Beni është më i urti si shok dhe më i ashpri në punë.
I pathyeshëm dhe i palodhshëm.
I fuqishëm pa u dukur i fortë.
Prandaj ka pasur sukses në çdo angazhim të tijin publik.
I reformoi qendrat e mjekësisë familjare në atë mënyrë që edhe kundërshtarët sot ia pranojnë si zotësi.
I siguroi 1.2 milionë vaksina me çmimin më të volitshëm e me furnizim masiv. Ai i ka dalë zot qytetarëve në ditët më të vështira dhe ia ka dalë më sukses çdo situate të vështirë politike.”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij Arbeni ka shije estetike dhe artistike dhe i duhet Prishtinës.
“Shumë prej tyre i kemi kaluar bashkë. Ne jemi fatlumë që e kemi në Lëvizje dhe qytetarët e Prishtinës do të jenë me fat që ta kenë për kryetar një njeri që shërben me përulësi. Përveçse dije, Beni ka shije, estetike e artistike. Krahas progresit, edhe kjo i duhet Prishtinës, një qytet i fotografueshëm dhe plot jetë.”, ka shkruar ai.