Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, nuk e ka mbështetur mocionin e mosbesimit për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Ai përmes një video adresimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që po i japin.
Ai ka thënë se është me BE-në e NATO-n e jo me qarqet antishqiptare.
Siguria, dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia e popullit, sipas tij, janë gjëja më e rëndësishme për të gjithë.
“Kryetari Bilall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur me shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e vendit të cilët dëshirojnë paqe e lumturi”, ka thënë ndër të tjera Rexhepi.
Ka thënë se çdo herë do të angazhohet për lirinë e shprehjes, duke paralajmëruar një konferencë për mediet ditëve në vijim.