Xherdan Shaqiri ka thënë se Zvicra e kishte ndier se do të mundë ta siguronte automatikisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2022 para kampiones së Evropës, Italisë.
Zvicra e mundi bindshëm 4:0 Bullgarinë të hënën në Luzren për të shkuar direkt në Botërorin e Katarit si fituese e Grupit C, e ndihmuar edhe nga dështimi i Italisë për ta mposhtur Irlandën Veriore në duelin tjetër të grupit.
Kombëtarja helvetike dhe kampionia e Evropës u futën në xhiron e fundit kualifikuese me pikë të barabarta në krye të grupit.
Italia u ndal me barazim pa gola nga Irlanda Veriore dhe kjo i dha mundësi Zvicrës së Shaqirit ta fitojë grupin me 18 pikë të mbledhura, dy më shumë se italianët.
Italia do të luajë në play-off në mars për një vend në Botëror.
Duke folur pas ndeshjes, Shaqiri tha: “Kualifikimi ishte synimi ynë. Ne e dinim se kishim mundësi. E uroj ekipin për punën e bërë gjatë kësaj fushate.”
Ai shtoi: “Duhet ta falënderojmë Murin (trajnerin Murat Yakin), sepse nuk ka qenë e lehtë për të t’i ndjekë hapat e Vlados (Vladimir Petkovicit). Patëm shumë mungesa, do të doja që ata të ishin këtu sot. I përshëndes të gjithë, Granitin (Xhakën) Breel”.
Anësori i Lyonit me prejardhje nga Kosova i ndihmoi Zvicrës ta sigurojë kualifikimin në Botëror, duke kontribuar me një gol dhe pesë asiste.
Ai asistoi te goli i parë i Zvicrës kundër Bullgarisë, i shënuar nga Okafar, dhe u zgjodh lojtari i ndeshjes për paraqitjen e mirë si një lider i vërtetë me shiritin e kapitenit në krah, në mungesë të Granit Xhakës.