7.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Hulumtimi i KIPRED: Pas takimit Vuçiq-Putin mund të jetë intensifikuar bashkëpunimi kundër Kosovës

Rekomandime

Intensifikimi i bashkëpunimit ruso-serb kundër shtetësisë së Kosovës dhe stabilitetit e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, mund të ketë ndodhur gjatë vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Moskë dhe takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin më 25 nëntor.

Ky është përfundimi i një hulumtimi të kryer nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) i prezantuar në Prishtinë më 3 dhjetor.

- Advertisement -

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar më 25 nëntor me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi dhe temë e takimit ishin edhe çështjet politike.

Presidenti rus deklaroi se sa i përket Kosovës, pozita e Rusisë është parimore dhe në përkrahje të Serbisë.

“Sa i përket Kosovës, ju e dini që pozita e Rusisë është parimore dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike. Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke iu përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha Putin.

- Advertisement -

Sipas KIPRED-it, stagnimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, krijoi terren të mirë për Rusinë për të intensifikuar luftën diplomatike kundër Kosovës.

Kjo luftë, sipas hulumtimit, po bëhet për rrënimin e përpjekjeve të Perëndimit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme ndaj mosmarrëveshjeve midis dy vendeve fqinje.

- Advertisement -

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Së fundmi pengesë në dialog u bë marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

Duke e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e njohjes së Kosovës nga shtetet perëndimore, politikat e Kremlinit synojnë të vënë në pyetje edhe validitetin e kufijve ndërshtetërorë jo vetëm të Kosovës e ish-shteteve sovjetike por edhe të Bosnjës e Hercegovinës, duke i përkrahur prirjet separatiste të udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

“Analizat e deklaratave, të konferencave për shtyp, dhe të dokumenteve të tjera të politikës së jashtme ruse nga 15 gushti deri më 31 tetor 2021, tregojnë qartë vazhdimin e synimit të narracionit për t’i rrënuar themelet e shtetësisë së Kosovës… si dhe për t’i akuzuar autoritetet kosovare për ushtrim të dhunës ndaj komunitetit serb dhe për t’ua mohuar të drejtën për të luftuar kundër krimit të organizuar në të tërë territorin e vendit”, thuhet në hulumtimin e KIPRED-it.

Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, shqetëson NATO-n

Ndikimi i Rusisë, por edhe ndikimi i heshtur i Kinës në Ballkanin Perëndimor, shihen me shqetësim edhe nga NATO-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më 1 dhjetor në fjalimin e tij gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së me NATO-n tha se ka pasur tensionim të situatës në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërsa ka shtuar se akterë të huaj po tentojnë ta minojnë progresin në këtë rajon.

Në lidhje me këtë, Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson që përpjekjet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor “janë të njohura dhe evidente”.

“Si institucione të shtetit po bëjmë maksimumin t’u kundërvihemi këtyre ndikimeve, gjithmonë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ishte përgjigja e Qeverisë së Kosovës më 2 dhjetor.

Aktivitetet publike të Ministrisë së Jashtme ruse kundër Kosovës janë intensifikuar që nga gjysma e dytë e shtatorit 2021 me fillimin e krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe me dëbimin e dy diplomatëve rusë të Zyrës së Ambasadës së Rusisë në Prishtinë, më 22 tetor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar se dy diplomatë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë urdhëruar të largohen nga vendi, pasi që ishin shpallur të padëshirueshëm.

KIPRED, po ashtu analizoi luftën e mediave ruse kundër Kosovës, duke shtuar se mediat shtetërore ruse ndjekin narracionin e Qeverisë dhe të politikës së jashtme ndërkohë mediat si “Sputnik Serbia”, “Russia Today” dhe “TASS-i “qëndrojnë në krye të dezinformimit të opinionit publik.

“Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial” – është një raport tremujor i KIPRED-it.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit