Ambasadorët e rinj amerikan në Kosovë dhe Serbi, si dhe mbështetja e theksuar në letrën e sekretarit Blinken pritet t’i japin një dinamikë të re dialogut Kosovë-Serbi.
Njohësit e procesit të dialogut po i kërkojnë institucioneve të vendit të përfitojnë nga qasja e re amerikane për konsolidimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por edhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për KosovaPress, se prapavija e ambasadorëve të emëruar në Kosovë dhe Serbi, tregon rëndësinë që ShBA dëshiron t’i jap arritjes së marrëveshjes finale mes dy shteteve fqinje.
“Tash po shohim vlerësimet për nominimin e ambasadorëve të ri amerikan në Kosovë, qoftë edhe atij në Serbi. Në bazë të prapavijës së këtyre dy figurave, shihet se ata kanë një eksperiencë në proceset negociatore që kanë kaluar Kosova, qoftë në Rambuje apo Vjenë. Prandaj prapavija e tillë na bënë të mendojmë se ndoshta ata janë emëruar që të kenë një rol më të madh në procesin e dialogut të Kosovë-Serbi, por edhe çështje të tjera rajonale që kanë dal në pah. Prandaj, roli i tyre në procesin e dialogut do të jetë më i madh dhe interesimi apo vëmendja e administratës për këto procese do të jetë më e lartë. Kosova është mirë të përfitojë nga përvoja e ambasadorit amerikan në proceset negociatore. Ai përmendi që ka pasur bashkëpunim dhe ka njohur ish liderët e Kosovës, siç është ish presidenti Rugova. Ne si shtet mund të përfitojmë nga përvoja e tij në procesin negociator. Besoj se Qeveria e Kosovës sa i përket politikës së jashtme në përgjithësi, por edhe dialogut në veçanti duhet që veprimet e saj t’i koordinoj me ambasadën amerikane këtu dhe përfaqësuesit amerikan, duke ditur rolin e tyre në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”,thotë ajo.
Mendim të njëjtë ndanë edhe njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, i cili thotë për KosovaPress, se pas letrës së sekretarit Blinken, roli amerikan do të jetë më i fuqishëm në dialogun Kosovë-Serbi.
“Roli amerikan është i patjetërsueshëm dhe pa zëvendësueshëm, andaj edhe politika jonë e jashtme duhet të shkojë në linjë me politikën e jashtme amerikane. Natyrisht se ambasadorët e rinj si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd janë persona që në të kaluarën e tyre kanë qenë të involvuar direkt në lirinë, pavarësinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Ekspertiza e tyre është e nevojshme edhe për Shtëpinë e Bardhë, por edhe fuqizimin e marrëdhënieve në të ardhmen”, thotë ai.
Si mesazhe kryesore amerikane këtë fillim vit në Kosovë, Raci thotë se ishin deklaratat se Kosova është në duar të sigurta në mbështetje ndaj lidershipit kosovarë.
“Deklarata e tij se Kosova është në duar të sigurta, për mua është një faktor i rëndësishëm ndaj qasjes së re amerikane ndaj Kosovës dhe lidershipit kosovar që kemi tani në funksion. Roli amerikan po fuqizohen më shumë, është hera e parë që kemi një përfaqësues direkt prej presidentit Biden dhe të administratës së re në Shtëpinë e Bardhë. Shpresoj që kjo qasje e re do të shfrytëzohen në maksimum edhe nga ana e vendit”, shton ai.
Të enjten, sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i dërgoi letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Mes tjerash aty thuhej se marrëdhënia ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur.
Ndërsa në fillim të javës në Kosovë erdhi ambasadori i ri, Jeffrey Hovenier. Kurse, në Serbi është emëruar ambasadori Christopher Hill.