7.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Rrjedha e informacioneve për aksionet e policisë në veri të Kosovës, Inspektorati ndërmerr veprime hetimore

Rekomandime

Të shumta kanë qenë aksionet e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Shpesh herë këto aksione nisën në kuadër të luftimit të korrupsionit, e disa herë edhe për mos-bindje të serbëve të veriut për vendimet që merrnin institucionet e Kosovës.

- Advertisement -

E padyshim se në të gjitha këto aksione, në rrezikun më të lartë ishin vetë pjesëtarët e Njësive të Specializuara të Kosovës.

Por, shumë shpesh ka ndodhur që informacionet e planifikimit të këtyre aksioneve të rrjedhin dhe të arrijnë tek subjektet e hetimit.

Informacionet e këtyre aksioneve çoheshin deri tek ata që pikërisht kishin të bënin me rastet, e kjo çështje ngriti dyshimet nga më të ndryshmet.

- Advertisement -

Pengesë është bërë disa herë radhazi rrjedhja e informacioneve nga Policia e Kosovës për zbatimin e operacioneve në tërësi.

Madje si shkak i zbulimit të detajeve që kishin të bënin me këto zhvillime, zyrtarët policorë të Kosovës disa herë u gjetën para situatave që në një situatë të rregullt nuk do të duhej të ndodhnin.

- Advertisement -

Por është pikërisht Inspektorati Policor i Kosovës që po merret me këtë situatë të krijuar brenda përbrenda institucionit më të besueshëm në vend, atë të Policisë së Kosovës.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se janë duke hetuar rastin dhe se janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, në këtë fazë të hetimeve vetëm mund t’ju konfirmojmë se IPK është duke hetuar rastin dhe është duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente”, është thënë shkurt në përgjigjen e Inspektoratit të Policisë së Kosovës.

Por ishte pikërisht dalja e informacioneve nga institucioni i Policisë së Kosovës që ndikoi në reagimin e shumë zyrtarëve shtetërore.

Të njëjtit në disa raste kërkuan që të hetohen në tërësi personat e dyshuar dhe që të mos përsëritet një situatë ku rrjedha e informacioneve bëhet pikërisht nga Policia e Kosovës.

Madje në një nga operacionet e fundit të Policisë së Kosovës në veri dyshohet se kishte rrjedhje të informacionit dhe si pasojë mëngjesin e 10 tetorit të vitit të kaluar Policia e Kosovës nuk ia doli që të prangos 10 persona që ishin në cak të hetimeve.

Nga 18 personat që po kërkoheshin, vetëm tetë nga ta përfunduan të arrestuar.

E shqetësim lidhur me rrjedhjen e informacioneve pati përcjellur edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

E rrjedhje të informacionit dyshohet se pati edhe në aksionin e policisë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, javëve të kaluara në veri të Kosovës.

Ishte Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili ishte shprehur i shqetësuar për rrjedhën e informacioneve, ku tha se në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura, por mungonin pajisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme.

“Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, kishte njoftuar Sveçla.

E njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi deklaroi se rrjedha e informacioneve mund të ketë pasoja për zyrtarët policorë apo doganorë të cilët janë pjesëmarrës në aksione.

“Rrjedhja e informacioneve pos dështimit të operacioneve mund të sjellë pasoja të rënda edhe për zyrtarët policorë dhe zbatues tjerë të ligjit siç janë doganierët apo zyrtarë tjerë shtetëror…Tashmë supozohet se ka përsëritje të rrjedhjes së informacioneve dhe duhet të merren patjetër masa për të kuptuar se nga ku po ndodh kjo rrjedhje e informacioneve”, deklaroi Ibishi.

E avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi pati e cila njëashtu ishte më parë pjesë e strukturave të Policisë së Kosovës, tha se ruajtja e informacionit është e vështirë kur në operacione përfshihen struktura të ndryshme shtetërore.

“Në çështjet e sigurisë është i përfshirë edhe faktori ndërkombëtarë apo KFOR-i, që është mjaft e vështirë të fokusohen dyshimet në hetimin e rrjedhjes së informacioneve”, deklaroi Gashi-Bytyqi.

E aksionet shpesh herë më të suksesshme dhe pa rrjedhje të informacioneve zhvillohen në kuadër të gjithë territorit të Kosovës, duke përjashtuar në disa raste veriun e vendit.

Problemet më të shpeshta me rrjedhje të informacioneve sa i përket operacioneve policore mjaftë të rëndësishme për shtetin shfaqen pikërisht kur rastet kanë të bëjnë me veriun, apo pjesën më të ndjeshme sa i përket hetimit dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me veprimet që i kanë ndërmarrë për të trajtuar situatën e krijuar pas rrjedhjes së shpeshtë të informacioneve, por të njëjtit s’kanë kthyer përgjigje.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit