1.4 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Plas sherri brenda PDK-së për Dardan Sejdiun

Rekomandime

PDK-ja do që ta provojë për herë të parë pushtetin në Prishtinë me Dardan Sejdiun, duke e bërë atë nënkryetar të komunës.

Kjo i ka revoltuar disa anëtarë të partisë, të cilët me vite presin për pushtet në kryeqytet.

- Advertisement -

Pozitën e nënkryetarit të Prishtinës, që e ka fituar nga koalicioni me LDK-në, PDK-ja do që t’ia jap Dardan Sejdiut. Dikur kundërshtari i madh i PDK-së dhe dikur njeriu i afërt i Albin Kurtit, vlerësohet nga koka e partisë, ndonëse disa të degës së PDK-së në Prishtinë nuk e duan atë.

“Unë shpresoj që z. Dardan Sejdiu t’i bashkëngjitet PDK. Do të dëshiroja..”, ka thënë të martën në Pressing, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kur u pyet për Sejdiun dhe konfliktin në parti, për të.

Për nënkryetar të Prishtinës, njëherë është përmendur Blerand Stavileci, zyrtar i PDK-së që kohë pas kohe ka bartur pozita të rëndësishme, e gjithmonë ka synuar postet që lidhën me Prishtinën.

- Advertisement -

Të pakënaqurit e PDK-së thonë se nuk duan që pozita t’i jepet dikujt që akoma as nuk është anëtarësuar në parti. Ndërkohë, marrëveshja me LDK-në për Prishtinën është bërë, por PDK-ja nuk ka çuar akoma as emrat për drejtorë e as emrin e nënkryetarit.

Anëtarë të degëve të PDK-së në Prishtinë janë deklaruar për media se nuk e përkrahin emërimin e Sejdiut, por udhëheqja e partisë nuk zbrapset me vlerësimet për Sejdiun.

- Advertisement -

Çitaku mbrëmë në Pressing tha se ajo personalisht do që partia e saj ta emërojë Sejdiun, në një pozitë shumë të rëndësishme për PDK-në.

“Unë nuk jam e përfshirë.. nuk jam anëtare e kryesisë së degës në Prishtinë. Unë nuk jam pjesë e diskutimeve kur flitet për emra, se kush duhet të jetë drejtor, kush nënkryetar. Por, unë do të doja që të ishte e vërtetë”, thotë Citaku, duke iu referuar spekulimeve për emërimin e Sejdiut.

Bujar Cakolli i PDK-së në Prishtinë tregon se ai dhe një pjesë e degës janë kundër Sejdiut.

“Sa i përket nominimit te nënkryetarit te komunës se Prishtinës, për Dardan Sejdiun deri tash nuk ka kurgjo zyrtare ka vetëm fjale ka indikacione që ka njerëz brenda PDK-së që kanë dëshirë me zgjedh Dardan Sejdiun po unë personalisht me një pjese te degës se partisë jemi kundër”, ka thënë Cakolli për Insajderi.

Përafrimi i Sejdiut me PDK-në është përfolur qysh kur u zgjodh kryesia e re e partisë. Në media, befas publikohej emri i ish-zyrtarit të LVV-së në kryesinë e PDK-së. Sejdiu nuk u deklarua për këtë, ndërsa gjatë zgjedhjeve lokale edhe njëherë po përflitej se Sejdiu ishte ndër njerëzit kyç në fushatën e Uran Ismailit të PDK-së, për kryetar të Prishtinës.

Opinionisti Valon Syla sot me një shkrim në Faceebok, e ka kritikuar degën e PDK-së në Prishtinë, që, sipas tij, s’po pranojnë hapje e po kritikojnë prurjet e mundshme të partisë.

“Hapne more partinë, krijoni mikpritje… se nëse vazhdoni kështu, sju vjen kerkush. E as ju vota s’merrni, qaq sa keni marrë ma herët, por edhe me LB, nja 700 copa e diçka… krijoni more kushte për prurje… tani edhe kritikoni..”, ka shkruar Syla.

Sejdiu ka qenë dhe njëherë tjetër nënkryetar i Prishtinës, vetëm se atëherë si zyrtar i LVV-së. Ai u vendos në komunë gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit, ndërsa në mandatin e tij të dytë, që e mori në zgjedhjet e 2017-ës, Sejdiu nuk e vazhdoi punën në kryeqytet. Disa muaj më vonë, LVV-ja u nda, e ish-nënkryetari i Prishtinës ishte pjesë e grupit që u largua nga partia e Albin Kurtit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit