Petar Tutavac, krijuesi i biskotës së njohur “Plazma”, ka ndërruar jetë të hënën mbrëma moshën 88-vjeçare, në Serbi.
Tutavac krijoi ëmbëlsira të shumta dhe sipas portalit kroat “Index”, ai ishte i pari profesionist i biskotave në ish-Jugosllavi. Ndër të tjera, recetë e tij është edhe biskota “Domaqica” e kompanisë kroate “Krash”.
Tutavac lindi në vitin 1934 në në Slivno, afër Dubrovnikut.
Në vitin 1949, aplikoi për një kurs për biskota në Zagreb, të cilin e organizoi fabrika e njohur “Krash”, ku pas kryerjes së shërbimit ushtarak, edhe u punësua.
“Krash ishte industria e vetme e ëmbëlsirave në atë kohë, dhe gjithçka tjetër që u shfaq më vonë erdhi prej saj”, pati thënë me një rast Petar Tutavaci.
Biskota “Plazma” llogaritet kurora e karrierës së tij, ndonëse ai kurrë nuk patentoi asnjë nga produktet e tij.
“Ishin kohë të tjera, dija nuk fshihej por ndahej me të tjerët. Gjithçka që bëja, të gjitha recetat dhe produktet e mia, bëheshin nën emrin e teknologjisë Bambi. Gjithmonë mendoja se e gjithë kjo i përkiste popullit, në mënyrë që forca shoqërore të forcohej. Ishin kohë kur në fuqi ishin disa rregulla dhe marrëdhënie të tjera mes njerëzve. Unë jam mirë kështu, jam një njeri i lumtur”, kishte thënë ai vite më parë në një intervistë për të përditshmen kroate “Slobodna Dalmacija”.
“Plazma” e Petar Tutavacit u zhvillua në Pozharevc të Serbisë. Atje, ai themeloi fabrikën “Bambi”, që sot është në pronësi të “Coca Colas”.
Në fakt, shumë para biskotës “Plazma”, italianët më 1902 kishin nisur të prodhonin biskotën “Plasmon”, e ngjashme në shije dhe në dukje me “Plazmën”, që nisi të prodhohet më 1967, transmeton KOHA.
“Ne ramë dakord që mund të prodhonim ‘Plazma’, por që nuk mund ta eksportonim në tregun italian dhe më pas kërkova që italianët të mos e eksportonin Plasmonin e tyre. Kjo ishte marrëveshja”, tha ai.
Biskotat “Plazma” janë të njohura edhe në Kosovë dhe marktet një pjesë të madhe të rafteve e mbushin me këtë produkt. Madje në kohën kur Kosova kishte vënë taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe, biskota “Plazma” zihej më së shumti në gojë. Ka pasur raste, kur për këtë lloj biskote është folur edhe në Kuvendin e Kosovës.