Deputetët malazez kanë shkarkuar mbrëmë kryeministrin Zdravko Krivokapiq pas 14 muajve qëndrimi në krye të Qeverisë.
Pas përfundimit të seancës parlamentare, kreu i grupit të deputetëve “E Bardha në të Zezë”, Millosh Konatar, tha se personalisht beson se kryeministër i ri duhet të jetë lideri i lëvizjes URA, Dritran Abazoviq.
Ai mbrëmë në Kuvend tha se bisedimet do të nisin sot.“Unë besoj se do të kemi një qeveri të re. Shumë shpejt do të kemi një qeveri të re, e cila do të luftojë korrupsionin.
Nëse më pyetni mua personalisht, normalisht do të dëshiroja që kryeministër të jetë Dritan Abazoviq”, tha Konatar, raporton rtcg.
Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, njëherazi dhe kreu i Partisë Socialdemokrate, konfirmoi mbështetjen e partisë së tij për modelin e një qeverie të pakicës.
Në një intervistë për agjencinë MINA, Gjukanoviq e cilësoi qeverinë e pakicës si zgjidhjen më të mirë në raport me situatën aktuale të qeverisjes në Malin e Zi, por alternativën më të keqe për të zgjidhur krizën.
“DPS është gati të votojë për qeverinë e pakicës, sepse kjo është zgjidhja më e mirë se situata katastrofike në të cilën Mali i Zi është në krye të qeverisë aktuale”, tha ai.
Kujtojmë se për shkarkimin e 63-vjeçarit, Krivokapiq kanë votuar 43 deputetë ndërsa 11 votuan kundër. Gjithsej votuan 54 deputetë.
Theksojmë se edhe disa parti të minoriteteve kanë kërkuar që mandatar i radhës të jetë politikani shqiptar, Abazoviq, i cili deri në momentin votimit të mosbesimit të Qeverisë ishte zëvendëskryeministër.
Ndryshe, partia e presidentit Milo Gjukanoviq, DPS, ka njoftuar se do të mbështes një qeveri të pakicës, por që në të nuk do të jenë partitë proserbe.