11.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Zbardhet dokumenti i arkivave ruse: Pse e ndërtuam bazën e nëndetëseve në Vlorë, Hrushovi do vendoste raketa!

Rekomandime

Pasi për vite me radhë të serviret i njëjti ushqim, i ndryshuar pak, ose aspak edhe pas rrëzimit të sistemit komunist në fillim të viteve ’90, mendja bëhet top se historia nuk ka si të jetë ndryshe. Kjo mund të thuhet për historinë e bazës ushtarake të “Pasha-Limanit” në Vlorë, pjesën më të rëndësishme të së cilës shqiptarët e kanë ende të fiksuar bardhë e zi në memorie, kryesisht pas përthithjes periodike të sekuencave të filmit “Ballë për ballë” me skenar nga një roman i njohur i Ismail Kadaresë.

Pra, shqiptarët ende nuk dinë më shumë se sa këto pamje filmike apo sasia që ka dhënë për ushqim propagandistik makineria shtetërore e kësaj kohe. Ardhur 50 vite e kusur më pas, kur së gjithës i ka ndryshuar mbase vetëm pamja e nëndetëseve të famshme sovjetike, tashmë të mjera e të ndryshkura, që Qeveria kërkon e vendos t’i shesë për skrap për të mbushur ndonjë vrimë në buxhetin e shtetit, e njëjta histori e shkuar dhe e pandryshuar në mendjet e shqiptarëve, këtë radhë e rrëfyer nga ana tjetër, nga historigrafët rusë, duket kërshëri ndjellëse. Historia e krijimit të bazës luftarake të Vlorës, përmes penës së Aleksandër Rozin, një prej njohësve e shkruesve më të mirë të historisë së nëndetëseve sovjetike e ruse, për habi vjen krejt ndryshe nga ajo që na është dhënë për të njohur nga burimet shqiptare.

- Advertisement -

Duke shfrytëzuar dokumenteve autentike, por edhe duke përfshirë pa paraqitur komplekse pjesë nga libri “Hrushovianët” i Enver Hoxhës, autori bën një pasqyrim krejt tjetër të ngjarjeve, që për pak kulmuan në një konflikt. Për herë të parë në këtë material, që gazeta ka vendosur të botojë, përshkruhen ngjarje e histori që kanë në epiqendër bazën e Vlorës, të gjitha sipas këndvështrimit dhe informacionit të oficerëve sovjetikë të dislokuar në këtë bazë. Ngjarje që herë përputhen, por që në shumicën e rasteve nuk përputhen aspak me ato që ne dimë.

Në material zbardhen arsyet përse sovjetikët e zgjodhën bazën e Vlorës, më tej sqarohen edhe planet për vendosjen e raketave me rreze të mesme e të vogël veprimi, nisjen e incidenteve me ushtarakët e politikanët shqiptarë, versionin ndryshe të batutës së Hrushovit “sa bukë hani ju shqiptarët në një vit, ne na e hanë minjtë në magazina”, versionin origjinal të batutës së Hrushovit ndaj Ramiz Alisë në mbledhjen e përfaqësuesve të shteteve të Bllokut Komunist për ndërtimin e Murit të Berlinit, të pathëna për Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Teme Sejkon e të tjerë dhe në fund, historia e vuajtjeve të një admirali sovjetik, që pasi i nxjerr pothuaj me forcë nëndetëset e anijet e tjera nga baza Vlorës, dhe kalon rrezikun, krejt i dërrmuar, u kërkon vartësve një shishe me vodkë dhe ta zgjonin vetëm kur të mbërrinin në Savastopol.

THEMELIMI I BAZËS NË SHQIPËRI

- Advertisement -

Në nëntor të vitit 1957 Komandanti i Flotës së Detit të Zi, V. A. Kasatonov i paraqiti Drejtuesit të Shtabit Qendror të Flotës Luftarako-Detare V. A. Fokinit propozimin për përdorimin e Shqipërisë si bazë e forcave të Florës, në Detin Mesdhe. Ai sugjeroi të dislokohej në bazë e Pasha-Limanit në gjirin e Vlorës një brigadë nëndetësesh, 10-12 njësi, disa prej të cilave më vonë t’i kaloheshin marinës shqiptare. Për mbrojtjen e bazës parashikohej t’u jepeshin shqiptarëve katër bateri raketash antianije të tipit “Strella”. Hyrja në gjirin e Vlorës, të mbyllur me rrjeta e përforcues të tjerë.

Për ruajtjen e bazës të kishte një skuadrilje anijesh anti nëndetëse dhe helikopterë të të njëjtit qëllim. Në të njëjtën kohë, Kasatanov ndriti edhe çështjen e themelimit të një mbrojtjeje të fuqishme kundërajrore. Ai pa gjithashtu opsionin e mbështetjes së bazës me aeroplanë TU, U-16 nga aerodromet shqiptare, në një version sa më të goditur. Hikita Hrushovi, në kujtimet e tij, e justifikonte kështu themelimin e bazës në Shqipëri: “Kur pas luftës nisën sërish të acaroheshin marrëdhëni et e Bashkimit Sovjetik më vendet kapitaliste, ne nuk e përjashtonim mundësinë e një konflikti luftarak. Me pozicionin e saj Shqipëria i kërcënonte seriozisht veprimtaritë e bllokut ushtarak të NATO-s, në Detin Mesdhe. Prandaj edhe ne u morëm vesh me shqiptarët në atë kohë që të dërgonim atje flotën tonë të nëndetëseve.

- Advertisement -

Ne kështu vepruam në interes të të gjitha vendeve socialiste. U vendos që atje të dislokoheshin 12 nëndetëse. Kuptoni, një grusht mjaft i hekurt, 12 nëndetëse në Detin Mesdhe. Me këtë grusht, kundërshtarët tanë duhet të bëjnë mirë hesapet. Këto nëndetëse ne gjithashtu dëshironim që t’ua jepnim shqiptarëve. Marinarët tanë shkuan atje bashkë me gjithë mjetet e remontit nënujor për të mësuar shqiptarët me qëllim themelimin e komandës shqiptare për nëndetëset dhe hap të fundit dhënien e tyre. Ky hap vërteton se me sa besim, me sa dashuri silleshim ne me miqtë shqiptarë”. Në Forcat Detare të Shqipërisë punonte një numër i konsiderueshëm specialistësh të Bashkimit Sovjetik, dhe ata punonin mirë. Në vitin 1958, Komandanti i Flotës Shqiptare, Kapiteni i Rangut të Parë, Teme Sejko, i dërgoi një letër udhëheqjes së flotës për promovimin e instruktorëve tanë në anijet shqiptare anti nëndetëse dhe në njësitë e shërbimit hidrografik të flotës që punonin në Shqipëri. Nga 14 në 31 gusht 1958 duke udhëtuar nga Balltiku në Shqipëri erdhën katër nëndetëset e para “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360” si dhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov” nën komandën e përgjithshme të Kapitenit të Rangut të Parë, V. Kastromova.

Menjëherë pas njësisë së parë nga Balltiku erdhën edhe dy të tjera, duke e çuar në 12 gjithsej numrin e nëndetëseve të dislokuara në bazën e Vlorës. Pas mbërritjes së anijeve të para, nisi edhe ndërtimi i objekteve në bazë, stacioneve të akumulimit etj. U planifikua edhe ndërtimi i tuneleve nëntokësore për nëndetëset, meqë relievi i bregdetit e jepte këtë mundësi. Pranë nëndetëseve në Vlorë u vendosën edhe pjesë të tjera të flotës. Në ishull, në hyrje të gjirit të Vlorës, u vendos një brigadë e mbrojtjes kundërajrore e mbështetur me dragamina. Në 1958 në Vlorë u vendos sistemi radio ndërlidhës, me valë të gjata “Koordinator” Në shtator 1958 oficerët tanë nisën t’u mësonin zanatit ekuipazheve shqiptare në katër nga nëndetëset. Veç kësaj, një pjesë e marinarëve shqiptarë mësonin të njëjtën gjë në Bashkimin Sovjetik.

Në vitet 1958-1959 rreth 300 specialistë shqiptarë për nëndetëset u përgatitën në Sevastopol. Nëndetësja e parë që nisi të eksploronte Adriatikun ishte ajo me numër “C-242”. Komandanti i saj shkruan se në Adriatik ishte shumë vapë, se marinarët në brendësi të nëndetëses gati sa nuk asfiksoheshin nga ajri i ngrohtë që shënonte 40 gradë, se si uniformë kishin të veshur vetëm sandale e të mbathura.

VIZITA E HRUSHOVIT

Më 25 maj 1959 në Tiranë me avionin “TU-104” vjen për visit zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Socialist Sovjetik, Nikita S. Hrushovi. Atë e shoqëronte ministri i Mbrojtjes, P. Malinovski, zv/ministri i Punëve të Jashtme, N. P. Firjubin, (ish-ambasador sovjetik në Beograd në kohën e pajtimit të Hrushovit me Titon). Në kohën e nisjes së fushatës së demaskimit të kultit të individit të Stalinit, Hrushovi u përball me kundërshtinë e një numri liderësh komunistë që nuk dëshironin të shkonin në udhën e tij. Kështu që qëllimi i fluturimit të tij në Shqipëri kishte synim që të vendoste në pozicionin e tij liderin e shqiptarëve, Enver Hoxhë.

Veç kësaj ai donte të bindej personalisht për ecjen e punëve dhe gjendjen e vendit. Hrushovi kishte plane të mëdha për Shqipërinë. Ai dëshironte që për kundërpeshë të raketave amerikane të vendosura në Itali, të vendoste në Shqipëri raketat tona: “… nëse në Shqipëri do të vendosen raketa me rreze të mesme veprimi, apo madje raketa me rreze të afërt, ato mund të mbulojnë të gjithë Italinë”. Më 30 maj, pas disa ditëve bisedime, delegacioni sovjetik me në krye Hrushovin bënë vizitë në bazën e Vlorës. Atë e shoqëronin udhëheqësit shqiptarë, E. Hoxha dhe M. Shehu. Në bordin e bazës lundruese “Vladimir Nemçinov” Hikita Hrushovi u takua me oficerët për disa minuta, hëngri drekën po në këtë anije dhe në mbrëmje doli në shëtitje në det për në portin e Sarandës. Aty miqtë zbritën në breg, i kënaqen me natyrën bregdetare dhe vazhduan bisedat e punës. Pastaj u kthyen sërish me anije në bazën e Vlorës dhe kaluan natën aty.

Në kujtimet e tij Enver Hoxha rrëfen se sa entuziast doli Hrushovit nga baza e Vlorës: “Sa madhështore, sa madhështore! Thirri Hrushovi dhe u kthye te Malinovski. Unë mendova se ai fliste për peizazhin e mrekullueshëm të Rivierës sonë. Por ata kishin në mendje diçka krejt të ndryshme.
– Sa porti i sigurt në këmbë të këtyre maleve, – thanë ata. – Nëse sjell këtu një flotë të fuqishme, i gjithë deti Mesdhe, që prej Gjibraltarit deri në Bosfor, do të jetë në duart tona! Ne gjithkënd mund ta shtrydhim në grusht” Ditën tjetër Hrushovi nuk ishte në formë, siç thuhej, Enver Hoxha, duke pasur Stalinin për idhull, nuk kishte aspak në mend të ndiqte kursin e shokëve sovjetikë, veç kësaj atë e inatoste toni prej mësuesi i liderit sovjetik. Në fund të vizitës te marinarët Hrushovi doli në fotografi me ta, mori si dhuratë një maket të një nëndetëseje, bërë me duar nga një marinar dhe u nis për në Tiranë, nga ku më 4 qershor u nis për në Moskë.

Udhëheqësit e Shqipërisë ishin të pakënaqur. Hrushovi nuk u kishte kreditë më të nevojshme, por falas u kishte premtuar t’u ndërtonte vetëm Pallatin e Kulturës si dhe dy radiostacione jo shumë të mëdha. Atëherë shqiptarët bënë lidhjen me kinezët. Nga dhjetori i vitit 1959 mediat shqiptare u pozicionuan qartazi në pozitë pro kineze. Njëkohësisht problemet e politikës së lartë shqiptaro-sovjetike nisën të reflektoheshin në marrëdhëniet mes marinarëve sovjetikë e shqiptarë.

PAS KRYQËZORIT QË MBARTTE PRESIDENTIN AMERIKAN

Në gusht të vitit 1959, bazën e Pasha-Limanit në Vlorë e vizitoi komandanti i flotës së Detit të Zi, admirali V. A. Kasatanov. Më këtë rast u bënë ushtrime se si të bllokoheshin veprimet e anijeve (armike) në zonën qendrore të detit Adriatik. Në këtë kohë në Shqipëri ndodhej i ftuar nga qeveritarët shqiptarë, komandanti i Marinës S. G. Gorshkov, që u njoh me gjendjen e punëve të reparteve të nëndetëseve. Në bazë, komandanti i brigadës, S. G. Egorov, morri porosi nga Gorshkovi, të zgjeronte rajonin e lundrimit të nëndetëseve në Detin Mesdhe. Atë e rekomanduan që pas stërvitjeve teorike e në terren, njësitë e nëndetëseve t’u afroheshin anijeve të NATO-s, për të mësuar teknikat e tyre.

Veç nëndetëseve komandanti i Marinës planifikoi të sillte këtu edhe pjesë të tjera të flotës. Në bordin e një prej anijeve luftarake, bashkë me Kasatonovin, ai doli në gjirin e Sarandës në vijën kufitare me Greqinë për të parë pozicionimin e mundshëm të shtrateve të raketave që duhet të vinin së shpejti. Raketat bashkë me nëndetëset, do të mundnin në ndonjë rast emergjent të pengonin futjen në Adriatik të anijeve të NATO-s, pjesë të Flotës së Mesdheut. Në nëntor-dhjetor të vitit 1959, nëndetësja me numër “C-360” ndërmori udhëtimin e parë në Detin Mesdhe deri në Gjibraltar. Kjo dalje e parë është e përmendur shumë në literaturë jo vetëm sepse ishte e parë, por edhe sepse kjo dalje i detyroi amerikanët të llogarisnin prezencën e nëndetëseve sovjetike në Detin Mesdhe. Në kthim, në ngushticën e Tunisit, nëndetësja jonë u gjend në krah të një kryqëzori amerikan, në bordin të cilit gjendej Presidenti amerikan, Ajzenhauer.

Nëndetësja u shkëput vetëm pas tri ditë-netësh ndjekjeje. Në vitin 1960 brigada u plotësua me anije. Në janar nga Flota e Detit të Zi erdhi anija e zbulimit radioteknik “Ugor”, ndërsa në vjeshtë të të njëjtit vit, në Shqipëri erdhi anija tjetër zbuluese “Krab”. Në Flotën e Detit të Zi ndërkohë ishte formuar njësia e radiondërlidhjes detare, e cila në dhjetor 1960 u vendos në ishullin e Sazanit. Në bazë ndërkohë ishte vendosur edhe brigada e anijeve të ruajtjes së rajonit ujor, që kishte në përbërje edhe një njësi dragaminash. Vjeshtës së vitit 1960 pati edhe një incident. Njëra nga nëndetëset, “C-374”, duke bërë manovra, në afërsi të ishullit të Sazanit, goditi një shkëmb nën ujë. Nëndetësja pësoi dëmtime të lehta, që u riparuar për një javë. Në tri vjet të qëndrimit të nëndetëseve në Shqipëri, ky ishte rasti i vetëm serioz i lidhur me procedurat e drejtimit të nëndetëseve.

Në kujtimet e tij V. S. Kozllov, shkruan se ditën tjetër në bazë erdhi Gjeneral-Koloneli Andreev, komandanti ynë sipas organizmit të Traktatit të Varshavës. Gjenerali, që ishte njëkohësisht edhe Hero i Bashkimit Sovjetik, menjëherë nisi masat represive. Sipas tij një lapsus i tillë ishte i padenjë për anijet sovjetike. Sipas tij komandantit duhet ta hiqnin e dërgonin në gjyq, po kështu edhe shturmanin (drejtuesin). Në sherr u përfshinë edhe shqiptarët, ministri i Mbrojtjes dhe shefi përgjegjës në Traktatin e Varshavës, të cilët ishin kundër masave represive. Pas dy ditësh nga Moska vjen një komision për të gjykuar situatën. Komandantin dhe një ndihmës të tij e qortuan, ndërsa shturmanin Marvjejev e liruan nga detyra. Në të njëjtin vit ndodhi edhe incidenti i dytë. Për shkak të pakujdesisë dhe thyerjes së rregullave të sjelljes në anije, u vra aksidentalisht komandanti i nëndetëses “242” Kapiteni i Rangut të Tretë B. Zemljakin. Ai ra nga baza lundruese.

POLITIKA E PRISHUR

Në mesin e vitit 1960 sjellja e Shqipërisë kundrejt bashkimit Sovjetik nisi të ndryshojë. Ky proces drejt konfliktit nisi mes partive dhe qeverive pas negociatave për të ndihmuar Shqipërinë në përmbushjen planit të saj të tretë pesë-vjeçar. Shqiptarët kishin vendosur në projekt-plan një ndihmë të rëndësishme nga Bashkimi Sovjetik. Këshillën tonë për mbështetje në forcat e veta, për zhvillimin e industrisë, sigurisht, me ndihmën tonë, shqiptarët e morën për fyerje. Thonë, se dikush ka thënë se Bashkimi Sovjetik mund ta ushqejë popullin shqiptar edhe nëse “nëse rusët do të kursejnë dhe nuk do hanë një vakët bukë, shqiptarëve u mjafton për një vit”. Kështu sovjetikët u këshilluan shqiptarëve të korrigjonin planin pesë-vjeçar dhe ata u larguan nga Moska tepër të pakënaqur. Para se delegacioni shqiptar të largohej, për nder të tij, ministri i Mbrojtjes, Marshall R. J. Malinovski, shtroi një drekë. Marshalli ngriti dolli: “për miqësinë mes dy vendeve tona”, por si përgjigje, kreu i shtabit shqiptar, në fjalën e tij fajësoi Bashkimin Sovjetik se nuk kishte dëshirë të ndihmonte vendin e tij.

Situata u bë edhe më e mprehtë kur në mbledhjen e Bukureshtit të partive komuniste dhe punëtore të vendeve socialiste, në qershor 1960 shqiptarët u dolën në mbrojtje komunistëve kinezë duke paragjykuar politikën e Bashkimit Sovjetik si “paqësore” me vendet e Perëndimit. Pas kësaj shqiptarët nisën fushatën e diskreditimit të specialistëve sovjetikë. Ata i fajësonin për ndërprerje të të gjitha llojeve të furnizimeve për bazën, për pezullim në mënyrë të njëanshme të punëve deri te provokimi dhe shantazhi. Sipas Enver Hoxhës “këtë veprimtari të egër antishqiptare dhe antisocialiste e drejtonin, si punonjësit e ambasadës sovjetike në Tiranë, ashtu edhe drejtuesi kryesor i Komandës së Forcave të Armatosura të Traktatit të Varshavës, Gjenerali Andrejev. Sovjetikët në bazë, me urdhër nga lart, kanë kryer veprime huligane duke akuzuar për to njerëzit tanë…

Është e paturpshme që përfaqësuesi i lartë Andrejev i dërgon qeverisë Shqiptare një notë, ku qahet për këto sjellje të padenja të shqiptarëve në bazë. Dhe çfarë janë këto sjellje? “Një marinar shqiptar hodhi një bisht cigareje në bordin e një anijeje sovjetike, fëmijët e Dukatit u thonë fëmijëve sovjetikë: “shkoni në shtëpitë tuaja”, kamerieri shqiptar i një klubi i tha oficerit tonë: zot këtu jam unë, dhe jo ti”. Gjenerali Andrejev iu ankua qeverisë shqiptare madje edhe për një fëmijë të paidentifikuar i cili fshehurazi shante pranë godinës së ushtarëve sovjetikë”. Moska, nga ana e saj, mundohej të pastronte situatën, por kjo nuk ishte e mundur. Në takimin e parë me delegacionin shqiptar më 10 nëntor në Moskë, Mikojani shprehu shqetësim për pozitën shqiptare duke thënë:

– Oficerët tuaj në bazën e Vlorës janë sjellë keq me tanët. Mos keni dëshirë të dilni nga Traktati i Varshavës?”
Në përgjigje, shqiptarët nisën t’u hidhnin fajin oficerëve të bazës së Vlorës duke i akuzuar për mëkate të padëgjuara.

Më 12 nëntor një bisedë për këtë temë shqiptarët e patën me Hrushovin. Ja si e përshkruan këtë debat në kujtimet e veta Enver Hoxha:
“Nëse dëshironi, ne mund ta heqim bazën, gërthiti ai në kohën kur nisëm të flisnim për mosmarrëveshjet e lindura.
– Ju me këtë po na kërcënoni, i them unë.
– Shoku Enver, mos e ngrini zërin,
– ndërhyri Hrushovi. -nëndetëset janë tonat.
– Edhe tuajat, edhe tonat, – iu përgjigja unë,
– sepse ne jemi duke luftuar për socializëm.
Territori i bazës është yni. Për sa u përket nëndetëseve ne kemi marrëveshje të nënshkruara, që i njohin popullit shqiptar të drejta mbi to. Unë mbroj interesat e vendit tim. Kështu që ta dini, baza është jona dhe jona do të mbetet”. Pas këtij dialogu krerët e udhëheqjes shqiptare dhe ata të Bashkimit Sovjetik përfundimisht u ndanë. Kinezët u mbushën mendjen shqiptarëve që të dilnin publikisht kundër “kursit revizionist të udhëheqjes sovjetike”…

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit