SHBA-ja pret që trupat ruse të mund të lëvizin shpejt sonte ose nesër në Donbas për të ashtuquajturin mision “paqeruajtës”, tha një zyrtar i lartë amerikan i afërt me shërbimet e inteligjencës, raporton CNN.
SHBA sheh përgatitje për një operacion të mundshëm zgjerimi, duke përfshirë ngarkimin e anijeve amfibe dhe pajisje ngarkimi për njësitë ajrore.
Një dekret i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin të hënën, me të cilin u njohën dy rajonet separatiste pro Moskës në Ukrainën lindore, urdhëroi forcat e armatosura ruse të hynin andej.
Trupat ruse vazhdojnë përgatitjet për një pushtim të Ukrainës, por diplomacia do të ndiqet “derisa të rrotullohen tanket”, thotë një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
“Trupat ruse kanë vazhduar të lëvizin më afër kufirit”, tha ai, duke thënë se ata shohin plane për një pushtim i cili mund të nis “në çdo moment”.
“Ne do të vëzhgojmë dhe vlerësojmë se çfarë veprimesh merr në të vërtetë Rusia dhe do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, tha ai.
“Ne do të marrim masa të mëtejshme nesër për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për këtë shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha zyrtari amerikan.