NATO ka aktivizuar mbrojtjen e saj kundër armëve kimike dhe bërthamore pas shqetësimeve se Rusia mund të përdorë armë të tilla në Ukrainë, deklaroi sot sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ndërsa liderët perëndimorë u takuan për të ndëshkuar më tej Rusinë pas pushtimit te Ukrainës.
Duke folur pas një samiti të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel që përkoi me samitet e G7 dhe Këshillit Evropian, Stoltenberg tha se 30 udhëheqësit e aleancës së mbrojtjes kishin rënë dakord t’i dërgonin Ukrainës mjete për zbulim, mbrojtje dhe furnizime mjekësore, si dhe trajnime për dekontaminimin dhe menaxhimin e krizave.
“Ne po marrim masa për të mbështetur Ukrainën dhe për të mbrojtur veten”, tha Stoltenberg.
“NATO është e shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të krijojë një “pretekst” për përdorimin e planifikuar të armëve të tilla në luftë, për shembull duke akuzuar Kievin ose vende të tjera se prodhojnë armë kimike ose biologjike në Ukrainë”, tha Stoltenberg.
Lidhur me detajet rreth mënyrës sesi këta “elementë të mbrojtjes” do t’i mbronin anëtarët e NATO-s, një burim ushtarak tha se një forcë me madhësi batalioni që përfshin rreth 400 ushtarë të trajnuar për të parandaluar dhe trajtuar përdorimin e armëve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore do të vendoset në gatishmëri të lartë.