Shoqata e Gastronomëve të Kosovës u ka bërë kërkesë bizneseve të kësaj fushe që ngjarjet e parapara për ditën e sotme t’i shtyjnë për një datë tjetër.
Këtë kërkesë ata e kanë bërë në nderim të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën dhe për të cilën shteti ka shpallur ditë zie.
“Të nderuar gastronomë, kërkojmë nga ju që eventet e parapara për sot t’i shtyni për një datë tjetër!”, thuhet në kërkesën e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.
“Ju lutemi për mirëkuptimin tuaj sepse mbajtja e eventeve nuk ka kuptim në ditë zie të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës”.
“Me respekt të dedikuar ndaj mikeshës dhe heroinës së popullit të Kosovës, znj. Madeleine Albright, që dha kontribut të jashtëzakonshëm për gëzimin e lirisë sonë!”