Përkundër nisjes së një lufte, që kërcënon rendin dhe sigurinë botërore, presidentit rus Vladimir Putin, i është rritur mbështetja nga populli rus.
Nga muaji shkurt, CNN raporton se aprovimi për politikat e Putinit, është rritur në mbi 80%. Kështu thonë rezultatet e fundit të sondazheve.
Gazetari rus, Stanislav Kucher, i cili ka lëshuar Rusinë si pasojë e pamundësisë për ta zhvilluar profesionin e tij në mënyrë të pavarur, ka shpjeguar në CNN karakteristikat e mentalitetit rus, për të gjetur arsyet e përkrahjes së rritur për Putin.
“Pse rusët mbështesin Putinin, përkundër asaj që ndodh?”, ka pyetur gazetarja e CNN gazetarin rus Kucher.
Kucher ka thënë se një pjesë e madhe e rusëve janë të informuar nga burime të kontrolluara prej regjimit të Putinit.
“Rusët i besojnë ‘ndërtuesit’ të ideve dhe makinës propaganduese. Për 22 vite, ata janë ushqyer me informacione të tilla nëpërmjet një kanali të vetëm”, ka thënë ai.
Ai ka shpjeguar pse përkundër burimeve të shumta të informimit në kohën e internetit, rusët ende i besojnë Putinit.
“Mund të thoni që tash kemi burime në internet, mënyra të informimit përmes kanaleve në Telegram, në media sociale etj., por prapëseprapë, në përditshmëri ju i besoni ‘ndërtuesit’ të informacioneve në televizion. Ende, televizioni është burim informimi për shumicën e popullit rus”, ka thënë ai.
Kucher ka thënë gjithashtu se i sheh me dyshim sondazhet, që janë marrë për referencë edhe nga CNN dhe që tregojnë për rritjen e përkrahjes së Putin.