Si mund t’i kundërvihet Bashkimi Evropian ndikimit rus në Ballkan

    0
    51

    Pushtimi rus i Ukrainës, e ka forcuar vendosmërinë e evropianëve për të mbrojtur demokracinë dhe arkitekturën evropiane të sigurisë.

    Njëherazi, shumë politikanë dhe akademikë i kanë kthyer sytë nga Ballkani, të frikësuar se çfarë është në gjendje të bëjë ndikimi rus në një rajon të karakterizuar nga destabiliteti politik, problemet ekonomike dhe emigrimi i më të arsimuarve.

    Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike, të cilat mbeten të pazgjidhura edhe pas rreth 3 dekadash nga shpërbërja e Jugosllavisë.

    Mundësia e një pushtimi rus në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi – janë të ulëta.

    Sidomos për shkak se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë tashmë anëtare të NATO-s.

    Megjithatë, Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë lehtësisht rajonin, dhe në këtë mënyrë të sabotojë gjasat që 6 vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, të cilën ato e aspirojnë që nga viti 2005.

    Tashmë janë ngritur pikëpyetje se si Bosnja mund të anëtarësohet një ditë në BE-së, kur Milorad Dodik po ndjek aspiratat separatiste të mbështetura nga Rusia për Republikën Srpska (entiteti me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë).

    Ndërkohë aspiratat e Kosovës mbeten të bllokuara nga refuzimi i disa vendeve – përfshirë Rusinë dhe Serbinë – për të njohur pavarësinë e saj.

    Serbia, që tashmë është kualifikuar si një kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të qëndrojë në një ekuilibër delikat midis përafrimit të saj me politikën e jashtme të BE-së, dhe lidhjeve të saj kulturore dhe historike me “vëllanë e saj sllav”, Rusinë.

    Ky tension ishte i dukshëm gjatë një konference për mediat që dha presidenti serb Alexandar Vucic së bashku me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock më 11 mars, kur Vucic refuzoi të përmendte pushtimin rus, duke aluduar në mënyrë të paqartë për “atë që po ndodh në Ukrainë”.