Kaliningrad, vendi ku Rusia mban armë bërthamore është një hapësirë në zemër të Evropës. Evropa së fundmi u trondit nga njoftimi i Dmitry Medvedev, një nga ndihmësit më të afërt të Vladimir Putin, ku tha se vendi do të instalonte raketa hipersonike dhe armatim bërthamor në enklavën e Kaliningradit nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s. Por cila është saktësisht historia e Rusisë dhe Kaliningradit, territorit më perëndimor të Rusisë, të cilin Kremlini po e përdor për të trembur Evropën prej vitesh për shkak të afërsisë me qytetet më të mëdha të Evropës?
Bashkimi Sovjetik ia mori Gjermanisë Kaliningradin në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kaliningrad, Konigsberg i atëhershëm ishte pjesë e Gjermanisë së Hitlerit, dhe më parë Republika e Vajmarit dhe Mbretëria e Prusisë. Në mesin e shekullit të 18-të me luftën shtatëvjeçare, qyteti ishte nën pushtimin e Perandorisë Ruse, por shpejt u kthye në Prusi. Gjermania u detyrua të hiqte dorë nga pjesë të mëdha të vendit të saj në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në Potsdam, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë pa diskutim këtë territor sovjetikëve, të cilët kishin pushtuar atje disa muaj më parë.
Konferenca e Potsdamit u mbajt në korrik dhe gusht 1945, menjëherë pasi Gjermania ra në duart e forcave sovjetike, britanike dhe amerikane. Stalini ishte i vendosur të hakmerrej ndaj Gjermanisë në lindje, dhe kryeministri britanik Winston Churchill dhe presidenti i SHBA-së Harry Truman ranë dakord që Gjermania të humbiste një pjesë të territorit të saj.
Qyteti gjerman u shndërrua në rus; Pse i duhej Stalinit Kaliningrad? Para së gjithash, ai mori një port që nuk do të kërcënohet nga akulli i përhershëm. Ishte shumë e rëndësishme për marinën dhe tregtinë sovjetike. Sipas analistëve, përmes Kaliningradit, BRSS mori vendndodhjen e përsosur për të nisur një sulm ose për t’u tërhequr. Duke kontrolluar këtë qytet, sovjetikët ndiheshin më të sigurt.