Rakiç kërcënon institucionet e Kosovës: Do të rezistojmë edhe me mjete jodemokratike

0
89

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konferencë për media ka kërcënuar institucionet e Kosovës, “që nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi t’i rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike”.

Rakiç theksoi se serbët në Kosovë duan të ruajnë paqen, por edhe qëndrimi tolerant i serbëve ka një kufi.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, shtoi se janë mbajtur takime urgjente me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe se arsyeja e këtyre takimeve ka qenë aktakuza kundër serbëve në Kosovë dhe se aktualisht janë duke u zhvilluar procedura ndaj më shumë se 70 serbëve.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura ndaj qytetarëve tanë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë për atë që Prishtina pretendon se është sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”, shtoi ai.

Sipas tij, arsyeja ishte protesta kundër lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës vitin e kaluar.

Ai potencoi se kjo është një procedurë politike në të cilën Prishtina paraprakisht i ka dënuar serbët e akuzuar.

“Ne mbështesim shtetin ligjor, por ky nuk është shtet i së drejtës, por dhunë institucionale që persekuton popullin tonë. U bëjmë thirrje qytetarëve për unitet, kjo nuk është çështje politike, por çështje e mbijetesës sonë në këtë fushë”, ka përfunduar Rakiç.