Fahrije Hoti ka folur për vështirësitë e saj për të arritur suksesin që sot ka me kompaninë “Krusha”.
Si mysafire në Frontal në T7, Hoti ka treguar edhe për pengesat që ka pasur si grua pa burrë për të punuar një punë, që për mentalitetin e kohës, nuk i takonte asaj.
Hoti, ka komentuar edhe një skenë nga filmi “Zgjoi”, ku shihet një shitës i perimeve duke tentuar të dhunoi aktoren që luan rolin e Fahrijes.
Ajo ka treguar se kjo skenë nuk ka të bëjë me realitetin, por zonja Hoti ka thënë se ne jetën reale ka qenë e përgatitur për gjithçka.
Ajo në bisedë e sipër tregon se me vete ka mbajtur gjithmonë një mjet për t’u mbrojtur.
“Unë kam thënë se Fahrijes nuk i ka ndodhë, por nëse i kish ndodhë, armë nuk kam mbajtur por një shati e kam pas gjithmonë afër me të cilin kam punuar, kurrë se kam përdorë. Gjithmonë ja kam lanë kohës, koha tregon siç edhe po e tregon”, ka thënë Hoti.
Në filmin “Zgjoi” është edhe një skenë ku dikush ia dëmton objektin ku mbante prodhimet që ajo bashkë me gratë Krushes krijonin me perime.
Këtu siç thotë Fahrija ka të vërtetë nga jeta e saj reale.
“Ka ndodhë, jo në atë mënyrë, si në film, por ka ndodhë. Por më besoni se ne markete i kanë hapë kapakët e tegllave me ajvar. Ajvarit nëse ia hap kapakun ai myket. Unë paketojsha e qojsha në market dhe me thirrshin pronarët e marketeve; hajde se janë mykë. Por e kam kuptuar se dikush, qëllimisht, po i hapë kapakët edhe ajvari po myket. Kjo na ka ndodhë në 2008”, ka thënë Hoti.