Shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, e ka ngritur me shqetësim armatosjen e vazhdueshme dhe të pandalshme të shtetit serb. Ai, sot ka reaguar ndaj ekspozimit në Serbi të armatimit kinez.
Ekspozimi i këtij armatimi këtë të shtunë, ka nxitur shqetësime të shumta edhe te zyrtarë ndërkombëtarë.
Vela ka thënë se militarizimi i shpejtë i Serbisë është duke e rrezikuar paqen në rajon.
“Serbia publikisht ekspozoi sistemin antiraketor kinez FK-3 me rreze të gjatë veprimi. Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka pranuar dhe po operon me një sistem të tillë kinez. Serbia është duke u armatosur me shpejtësi dhe duke e rrezikuar paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela përmes Twitter-it.
❗️#Serbia publicly unveiled the recently received 🇨🇳 FK-3 long range, high altitude anti-aircraft missile system.
Serbia is the only European country to receive and operate such a Chinese weapon system.
Serbia is rapidly militarizing and endangering the peace in our region. pic.twitter.com/mS4jaObkFL
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 30, 2022
Armatosja e Serbisë është bërë shqetësues gjatë muajve të fundit, veçanërisht prejse nisi lufta në Ukrainë. Mediat ndërkombëtare zbuluan furnizimin e fshehtë të Serbisë me armë kineze përmes rrugëve turke.
Po ashtu, armatosja e Serbisë është intensifikuar edhe nga furnizimet ruse, ndërkohë që Vuçiq është interesuar që të blejë edhe dronët modernë turq “Bayraktar”. Për këtë gjë, kishte thënë presidenti serb se ka marrë dritën e gjelbër nga presidenti turk Erdogan.
Ndërkohë, Serbia është nën presion nga SHBA dhe BE që të orientohet qartë pro Perëndimit pas luftës së Rusisë në Ukrainë. Një pozicionim i saj i qartë, nuk ka ndodhur ende, prandaj roli i saj në Ballkan po shihet ende si i rrezikshëm për stabilitetin dhe sigurinë.