Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka komentuar mbi ngjarjet që ndodhën së fundmi në parlament, duke thënë se veprimet e opozitës nuk ishin të nevojshme.
“Në momentin kur u barikadua opozita dhe e konsideronte se vetëm kërkesa, ashtu siç ishte shtruar, dhe pa opsion tjetër, ata e shfrytëzuan një të drejtë dhe një mundësi për të cilën nuk e konsideroj mjaftueshëm të nevojshme për situatën që ishte. Dikur të pushtetshëm e të paprekshëm – sot një opozitë, për të cilin e konsideroj të vetmin element, që kanë qenë unik, kjo është për të çmuar, ndërsa veprimet dhe mënyra e qasjes nuk kanë qenë as për lëvdatë dhe nuk kanë qenë të arsyeshme metodat që i kanë përdorur”, tha Zyba në Edicionin Special në Klan Kosova.
Deputeti u shpreh i bindur se LVV-ja ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe të pakursyeshëm në metodat dhe mënyrat e avancimit të kërkesës së opozitës për krijimin e Komisionit për Energji.
“LVV e rishikoi secilin pozicion dhe e mundësoi zhbllokimin e situatës, për të mos pasur dëme, për të mos pasur revoltë qytetare apo secila prej formave”.
“E përbashkëta e këtyre subjekteve është e kaluara, jo vetëm shpërfillëse në ligje dhe procedura, por në një masë të madhe edhe kriminale”.
Tutje Zyba u lëshua në fjalor ndaj deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit, duke e quajtur atë rebel.
“Një rebel aktiv të një subjekti që edhe e kryeson këtë grup parlamentar, e konsideroj si rebel sepse u dëshmua në seancat paraprake, jo vetëm shprehjet banale, por edhe secili gjest , derisa edhe te mosqëndrimi ulur i tij në secilin fjalim, e nënkupton rebelizmin e tij aktiv”, tha Zyba.
Ndërkohë, për sjelljet e Lëvizjes Vetëvendosje sa ishte në opozitë, Zyba tha se nuk pendohet, pasi sipas tij, kanë qenë më se të nevojshme.
“Ajo që mund t’i shtoj të kaluarës është se nuk kemi arritur të ndalojmë disa procese me këto forma. Ne kemi procese të dëmshme, kauza të rrejshme nga pushtetet e kaluara, ku ne përveç të drejtave qytetare, përveç pasurisë nëntokësore e mbitokësore, kemi humbur territor, me disa vendime të mazhorancave të kaluara, e për të cilat ka qenë e nevojshme, ndoshta e pamjaftueshme, por e nevojshme, secili aktivitet që e ka arsyetuar koha. Veprimet e LVV-së nuk kanë qenë arrogante të individëve, por kanë qenë projeksione në funksion të interesit qytetar”, u shpreh Zyba.
Zyba nuk la pa komentuar edhe opozitën.
“Përveç se aktive, kemi qenë një opozitë origjinale, kemi arsyetuar veprimet, kemi argumentuar secilin qëndrim tonin, por nuk kemi qenë një kopje e dobët, sikurse aktualisht. Për fatin e keq të Kosovës, një opozitë e tillë është kopje e keqe”.
“Këta persona, që sot janë pa pushtet, nuk janë të gatshëm t’i paguajnë faturat që dikur i kanë zhvat dhe i kanë përfituar, ndërsa sot, prej pozicionit të opozitës, e mbrojnë veten për të kaluarën 20 vjeçare, që nënkupton se ky komision që ata e kanë iniciuar, është për të mbyllur procesin, që të mos ketë mundësi apo barriera ligjore që të hetohen për proceset 20 vjeçare”.