Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së.
PDK sot ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues ku Ragip Xhaka, babai i Taulant dhe Granit Xhakës, është zgjedhur kryetar i degës në Zvicër.
Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi falënderoi bashkatdhetarët për pritjen madhështore duke thënë se mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, e filluan para 30 vitesh Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
“Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur”, tha ai.
Krasniqi tha se mërgata ndër vite është bërë për shtyllë për shoqërinë duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe duke ndërtuar fizionominë e saj.
“Por, çka është më e rëndësishmja, ju e keni sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit kosovar, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës, e fushave të tjera këtu në Zvicër. Po ashtu, plot ndërmarrës e biznesmenë të suksesshëm që janë bërë shembull i punës e përkushtimit në Zvicër, na nderojnë edhe neve në Kosovë”, shtoi Krasniqi.