Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është takuar me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj, i cili përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se “bashkë do të bëjmë realitet edhe obligimet që kemi marrë, për të përmbyllur me sukses demarkimin e kufirit, me korrigjim në sektorët e caktuar”.
Haradinaj ka theksuar se “Kosova dhe Mali i Zi kanë traditë të bashkëpunimit korrekt ndërshtetëror” duke vlerësuar se edhe takimi me Presidentin Gjukanoviq ka kaluar “në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona”.
Ai ka falënderuar Gjukanoviqin për mbështetjen e tij për Kosovën dhe gatishmërinë e Malit të Zi për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO dhe Këshillin e Evropës.
Haradinaj ka thënë se Kosova e Mali i Zi do të qëndrojnë bashkë “përballë çdo rreziku që ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit”.