7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

“Fytyra e re e Iuftës ruse”, ja kush është Sergei Surovikin, gjenerali që udhëhoqi bombardimet në Siri

Rekomandime

Gjenerali Sergei Surovikin, që zbaton strategjinë e re ushtarake të presidentit Vladimir Putin në Ukrainë është i njohur për mizorinë e tij në bombardimin e civilëve sirianë nga Rusia.

Ai pati rol në vdekjen e tre protestuesve në Moskë gjatë grushtit të dështuar të shtetit kundër Mikhail Gorbaçovit në vitin 1991 që përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

- Advertisement -

Pa flokë dhe me pamje të egër, gjenerali Surovikin u vu në krye të forcave ruse në Ukrainë në 8 tetor, pasi në këto 8 muaj luftë, Moska është detyruar të bëjë një sërë tërheqjesh kaotike dhe zmbrapsje të tjera.

Presidenti Putin e vuri në krye të forcave të ushtrisë 56 vjeçarin, pas bombardimit të urës strategjike në Gadishullin e Krimesë që e vuri në pozitë të vështirë Kremlinin dhe krijoi probleme logjistike për forcat ruse.

Rusia u përgjigj me breshëri raketash në të gjithë Ukrainën, që zoti Putin tha se kishin për qëllim të rrëzonin infrastrukturën energjitike dhe qendrat e komandës ushtarake ukrainase. Sulme të tilla kanë vazhduar çdo ditë, duke goditur centrale dhe objekte të tjera me raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani.

- Advertisement -

Gjenerali Surovikin ruajti detyrën e shefit të forcave ajrore, një pozicion që mund ta ndihmojë të koordinojë sulmet ajore me ndërhyrjet e tjera.

Gjatë bombardimeve më të fundit, disa blogerë rusë të luftës shpërndanë një deklaratë që i atribuohet atij, ku shprehej synimi për të vijuar sulmet me forcë të pandalshme, për të goditur qeverinë e Kievit deri në dorëzim të saj.

- Advertisement -

“Nuk dua të sakrifikoj jetët e ushtarëve rusë në një luftë guerile kundër grupeve fanatikë të armatosur nga NATO,” citohej ushtaraku në deklaratën e shpërndarë. “Ne kemi mjaftueshëm mjete teknike për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.”

Edhe pse vërtetësia e deklaratës nuk mund të konfirmohet, duket se ajo pasqyron të njëjtën qasje të fortë që zoti Surovikin zbatoi në Siri ku ai mbikqyri shkatërrimin e qyteteve të tëra për të zhdukur rezistencën rebele pa i kushtuar shumë vëmendje popullsisë civile. Ky bombardim pa dallim, u dënua nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe disa media e kanë quajtur atë “Gjeneral Armagedoni”.

Presidenti Putin i dha gjeneralit Surovikin medaljen më të lartë të vendit, atë të Heroit të Rusisë, në vitin 2017 dhe e gradoi atë si gjeneral të përgjiithshëm.

Përkrahësit e Kremlinit vlerësuan emërimin e zotit Surovikin në Ukrainë. Yevgeny Prigozhin, një biznesmen milioner i quajtur “shefi i Putinit” i cili zotëron një kompani që ka marrë kontrata nga ushtria që luan një rol kyç në luftimet në Ukrainë, e vlerësoi atë si “komandantin më të mirë në ushtrinë ruse”.

Por edhe pse përkrahësit e vijës së ashpër prisnin që zoti Surovikin të shtonte raketat mbi Ukrainën, deklaratat e tij të para publike pas emërimit ngjanin më shumë si njohje e dobësive të ushtrisë ruse se sa kërcënime.

Në deklaratat e tij në televizionin shtetëror rus, zoti Surovikin pranoi se forcat ruse në Ukrainën jugore ishin në një “pozitë mjaft të vështirë” përballë kundër sulmeve ukrainase.

Në deklaratat e kujdesshme që zoti Surovinkin u pa t’i lexonte në teleprompter, ai tha se veprimet e mëtejshme në rajon do të varet ecuria e luftimeve. Vëzhguesit e interpretuan deklaratën e tij si një përpjekje për të përgatitur publikun për një tërheqje të mundshme ruse nga qyteti strategjik jugor Kherson në Ukrainën jugore.

Gjenerali Surovikin e filloi karrierën e tij ushtarake në ushtrinë sovjetike në vitet 1980 dhe, si toger i ri, u emërua komandant i njësisë. Më vonë ai u ngrit në postin e shefit të Forcave Ajrore, duke shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e tyre, sepse ishte hera e parë që ky post iu dha një oficeri të këmbësorisë.

Ai ishte në qendër të një përplasjeje politike në gusht të vitit 1991, kur udhëheqja e vjetër e Partisë Komuniste organizoi një grusht shteti, duke rrëzuar përkohësisht udhëheqësin e atëhershëm Mikhail Gorbaçov dhe duke dërguar trupa në Moskë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Gjenerali Surovikin komandoi një nga batalionet e mekanizuara të këmbësorisë që u futën në kryeqytetin rus.

Rezistenca popullore u rrit shpejt dhe në orët e fundit të grushtit të shtetit tre-ditor, protestuesit bllokuan një autokolonë të blinduar të udhëhequr nga gjenerali Surovikin dhe u përpoqën t’u vënë flakën disa prej automjeteve. Në një përleshje kaotike, dy protestues u qëlluan dhe një i tretë u shtyp për vdekje nga një automjet i blinduar.

Menjëherë pas dështimit të grushtit të shtetit gjenerali Surovikin u arrestua. Ai kaloi shtatë muaj në qeli në pritje të një hetimi, por përfundimisht u shpall i pafajshëm dhe madje iu dha grada major pasi hetuesit arritën në përfundimin se ai thjesht po u bindej urdhrave të eprorëve të tij.

Një tjetër moment i vështirë në karrierën e tij erdhi në vitin 1995, kur gjeneral Surovikin u dënua për mbajtje dhe trafik pa leje të armëve të zjarrit ndërsa studionte në një akademi ushtarake. Ai u dënua me një vit burg, por dënimi u anulua shpejt.

Ai u ngrit në mënyrë të qëndrueshme në karrierën e tij ushtarake, duke komanduar njësitë e dislokuara në ish-republikën sovjetike të Taxhikistanit, trupat e dërguara në Çeçeni dhe duke shërbyer në poste të tjera në të gjithë Rusinë.

Ai u emërua komandant i forcave ruse në Siri në vitin 2017 dhe shërbeu për një mandat të dytë atje në vitin 2019, ndërsa Moska u përpoq të mbështeste regjimin e presidentit Bashar Assad në përpjekjet për të rimarrë territorin mes një lufte civile shkatërruese.

Në një raport të vitit 2020, “Human Rights Watch” përmendi gjeneralin Surovikin, së bashku me Presidentin Putin, Presidentin sirian al-Asad dhe figura të tjera si përgjegjës për shkelje të të drejtave njeriut gjatë ofensivës siriane të viteve 2019-2020 në provincën e Idlibit.

Sipas mediave ruse, ai me sa duket ka një temperament që nuk është pëlqyer nga vartësit e tij. Një oficer që ka shërbyer nën komandën e gjeneralit Surovikin u ankua tek prokurorët se gjenerali e kishte rrahur pasi ishte zemëruar për mënyrën se si ai votoi në zgjedhjet parlamentare. Një tjetër vartës thuhet se ka qëlluar veten për shkak të një konflikti me gjeneralin Surovikin. Hetuesit nuk gjetën shkelje në asnjërin prej këtyre rasteve.

Historia e tij në Siri mund të ketë qenë një faktor që ka ndihmuar në emërimin e tij si komandant i forcave ruse në Ukrainë, ndërsa Presidenti Putin ka marrë vendime për të intensifikuar aksionet dhe për të përmbysur një seri humbjesh të mëdha në fushën e betejes.

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për shtimin e sulmeve në Ukrainë, e vlerësoi zotin Surovik si “një gjeneral të vërtetë dhe një luftëtar, me përvojë të mirë, largpamës dhe të fuqishëm që i jep përparësi patriotizmit, nderit dhe dinjitetit”.

“Grupi i bashkuar i forcave (në Ukrainë) është tani në duar të sigurta,” tha zoti Kadyrov, i cili ka mbështetjen e Kremlinit, duke shprehur besimin se ai do ta “përmirësojë situatën në terren”./VOA

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit