Serbia nuk duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian, derisa ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe t’i normalizojë raportet me të, po vlerëson ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea.
Për klankosova.tv, ai u shpreh se me normalizim, përfshinë edhe ndalesën që Serbia duhet ta bëjë të fushatës, e cila mban Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare.
”Pikëpamja ime dhe që e kam deklaruar shumë herë, është se Serbia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së derisa të ketë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet e saj me të (përfshirë ndalimin e fushatës për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare)”.
”Gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe për të ndjekur marrëdhënie të mira me fqinjët në një frymë kompromisi dhe angazhimi konstruktiv më duket si një vlerë thelbësore e anëtarësimit në BE. Natyrisht kjo do të thotë se Kosova duhet të demonstrojë të njëjtën qasje konstruktive, por negociatat duhet të bazohen në realitete, dhe mohimi i Beogradit kur bëhet fjalë për trajtimin e Kosovës si një vend real dhe një shtet i pavarur nuk i ndihmon gjërat”.
”Sa i përket BE-së, Brukseli nuk thotë se Beogradi nuk mund të ketë një marrëdhënie me Moskën, nëse dëshiron një të tillë. Ka liderë të BE-së që ende flasin me Putinin (edhe pse më pak se në të kaluarën) dhe Presidenti Vuçiq sigurisht që mund të bëjë të njëjtën gjë. Por ajo që BE-ja me të drejtë pret është që vendet kandidate që negociojnë për t’u bashkuar me BE-në dhe për të marrë të gjitha përfitimet e anëtarësimit, duhet të tregojnë solidaritet dhe të zbatojnë politikën e jashtme dhe masat e sigurisë të BE-së, siç janë sanksionet ekonomike”.