Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar për tollovinë e krijuar në trafik sot, kur po bëhet testimi i unazës njëkahëshe në kryeqytet.
Ai ka thënë se trafiku i bllokuar sot nuk dallon shumë nga ditët e tjera të zakonshme në Prishtinë.
Sipas Kocit ky është problem serioz dhe duhet që të ndalohet komplet qarkullimi në qendër të qytetit dhe të bëhet me pagesë hyrja në qendër.
Postimi i plotë:
Sot vërtetë rrugët janë bllokuar, por edhe ditëve tjera nuk është shumë më mirë.
Duhemi me u pajtu: Prishtina ka problem serioz me komunikacion.
Tollovia po shtohet çdo ditë.
Prandaj, i kemi dy zgjidhje:
– Me e ndalu krejt qarkullimin në qendër;
– Me e bërë ma para hyrjen në qendër të Prishtinës.
Natyrisht, mundemi me e vazhdu njejtë, por sot pesë vite, problemi ka me qenë edhe më i madh.
P.s
A jam i vetmi që nuk jam nervoz sot në kaosin që është shkaktuar?
A po e dini pse? 🙂
Pse mos me ecë të gjithë pak më shumë?
Po bicikleta?
A krejt po dojmë me shku deri në derë të hyrjes së vendit të punës a?
Kjo është prej herave të rralla kur hiç askush nuk po më dhimbset!
Aspak!