Konjufca: Ka konsensus dhe unitet kombëtar kundër Serbisë, garantoj që krijimi i Republika Srpska do të dështojë

0
166

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e sheh si plan B të Serbisë tërheqjen e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës. Në një konferencë për media pas Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari tha se Serbia do të dështojë në përpjekjet e saj për krijimin e një Republika Srpska në Kosovë.

“Ky që po e shihni është plani B i Serbisë”, tha Konjufca. “Plani A ka qenë me dialog, me negociata, me kriju Republikë Serbe në Kosovë. Tash e ka fillu planin B”, tha ai.

Konjufca tha se në Kosovë ka konsensus dhe unitet kombëtar në leximin e kësaj situate, dhe se kjo garanton dështimin e planit serb, raporton Gazeta Express.

“Unë ju garantoj, ju siguroj. Për shkak që ne kemi konsensus dhe unitet kombëtar, do të dështojë edhe plani B i Serbisë për të krijuar këtë republikë brenda vendit tonë. Por vetëm duhet të jemi vigjilentë, të kujdesshëm maksimalisht në hapat që i marrim, në veprimet tona”, tha Konjofcua.

“E ftoj spektrin politik që të jemi të bashkuar në qëllime, më së pari”, shtoi ai, duke theksuar se ky duhet të jetë leximi i situatës.