Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se vetëm 3 persona kishin çelësat e vendit ku ruheshin mostrat e zhdukur të Astrit Deharit në Laboratorin e Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Ajo ka thënë se është shumë e lehtë të gjinden ata që janë të përfshirë në këtë veprim.
Ajo, duke folur në emisionin DPT te Fidan Jupolli, ka thënë se ka një protokoll specifik se si ruhen mostrat brenda laboratorit.
“Kemi kuptuar që vetëm 3 persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat. Pra, ka një protokoll se si ruhen mostrat, prandaj me një vullnet nga ana e prokurorisë mund të gjenden personat përgjegjësi”, ka deklaruar ministrja.
Ajo ka thënë se nuk ka mundësi që këtë veprim ta ketë kryer dikush jashtë institutit.
“Meqë janë vetëm tre persona që i kanë pasur çelësat, atëherë shumë lehtë verifikohet kush është përgjegjës. Nuk ka gjasa që këtë gjë të bëjë dikush jashtë institutit. Po ashtu, mendoj që personi që e ka bërë këtë vepër, nuk ka qenë i vetëm, por po ka qenë i organizuar”, ka deklaruar tutje ajo.
Haxhiu ka treguar se si e kishte kuptuar që mostrat e Deharit ishin zhdukur. Ajo ka thënë se nuk mundte ta besonte se kjo gjë kishte ndodhur.
“Më 7 dhjetor 2022, unë jam njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, që janë zhdukur mostrat e Deharit. Në pyetjen time se si ka ndodhur kjo, ajo theksonte që mostrat janë zhdukur kur janë ndërruar frigoriferët e vjetër me frigoriferët e rinj. Kur e kanë verifikuar sipas kodeve, e kanë kuptuar që janë mostrat e Astrit Deharit”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka thënë se janë zhdukur 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit.
“Në atë moment është kuptuar që mungojnë, sepse kur ka ndodhur nuk dihet”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se mënjëherë e kishte njoftuar prokurorin Besim Kelmendi.
“Sepse është akt i rëndë, është vepër kriminale”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka thënë se pas zhdukjes së mostrave, të nesërmen kishte takuar personat përgjegjës.
Gjithashtu, ministrja e ka komentuar edhe dorëheqjen morale të ish-zëvendësdrejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka më 9 nëntor 2022.
“Ai ka dhënë dorëheqje, por sikur z. Naim Uka të mos jepte dorëheqje, unë do ta kisha shkarkuar. Kjo është e sigurt. Ai thoshte unë nuk di, unë nuk di, po çka din ti?”, ka pyetur Haxhiu tutje.
Sipas ministres, zhdukja e mostrave të Deharit, është sulm ndaj qeverisë, minsitrisë së saj dhe vetë asaj.
“Unë nuk i dorëzohem këtyre veprimeve kriminale”, ka deklaruar ajo.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur.
Emisioni KËTU