Duke folur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk e nënshkruan kapitullimin e Serbisë, ndërkohë që ka akuzuar Kurtin për mos-gatishmëri që ta nënshkruajë Asociacionin.
Duke folur për vizitën e emisarit të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, Vuçiq ka thënë se është vështirë të shënohet ndonjë progres.
“Kurti është i vendosur që të mos e themelojë Asociacionin. Liberalizimi i vizave është inkurajim për Kurtin. Lajcak do të jetë në Beograd të hënën dhe ne do të tentojmë që të shënojmë progresim për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.
“Do ta kem një takim gjysëm orësh, dhe pastaj de-fakto do të jem me të për dy ditë për ta gjetur një zgjidhje”, ka deklaruar ai.
“Nuk do të ndodh kurrë që unë ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë. S’do të ketë as kapitullim e as dorëzim. Në mënyrë të vendosur kam thënë para të gjitëve se Serbia nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB, e as nuk do ta njohim pavarësinë e saj në një mënyrë apo tjetrën”, ka deklaruar ai.
Vuçiq ka thënë se Serbia është e gatshme të bëjë kompromise, por jo edhe shqiptarët.