Detyrat e klasës po i kryen në shtëpi. Jo se nuk ka dëshirë që të shkojë në shkollë, porse Sara Bungu 15-vjecare nga Shtimja thotë se nuk po e lejojnë që t’a zhvillojë procesin mësimor. Krejt kjo si pasojë e mbulesës që ajo e ka vendosur dy ditë më parë.
Sara Bungu thotë se ditën e martë ka vendosur që me mbulesë në kokë të shkojë në shkollë.
Por në shkollën “Emin Duraku” në Shtime ku ajo i vijon mësimet, ajo arriti t’i mbajë vetëm dy orët e para. Të tjerat iu ndërpritën nga siç thotë ajo, drejtoria e shkollës.
“Fillimisht e kam pas përkrahjen prej prindërve e familjes. Ka qenë edhe dëshira ime. E kam vu mbulesën, shkaku që është muaji i ramazanit. Të mërkurën shkova në shkollë, i pash shokët, ma uruan. I mbajta vec dy orë. E pastaj erdhën më thanë se duhet me shku te drejtori. Drejtori më tha se kjo që ke ba ti. Të largon prej shkollës,”– tha 15-vjeçarja.
Ajo thotë se pavarësisht kritikave, mbulesën nuk do ta heqë.
“Unë edhe atë ditë i kam tregu se mbulesën e kam vnu me dëshirë. Gjithçka pres me u ba, por mbulesën nuk e heku,:- thotë Sara.
Babai i saj Qerimi thekson se vajza nuk ka pasur presione nga familja për ta vendosur shaminë.
“Sara është 15-vjecare. Ajo ka verndosë vet për shaminë. Pasi ka vendosë vet, ne e përkrahim fuqishëm dhe asnjëherë s’do të lejmë vet,”- thotë prindi.
E nga shkolla ku i vijon mësimet Sara përmes një reagimi publik janë shprehur se kjo shkollë nuk e ka përjashtuar vajzën e tyre nga procesi mësimor për shkak të shamisë.
“Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me një fëmijë me moshë jo më të madhe se 14-15 vjeç si dhe me faktin se nxënësi për herë të parë ka ardhur në shkollë me uniformë fetare të mërkurën (5 prill 2023). Duke qenë se është fëmijë dhe mosha e saj nuk është e mjaftueshme sa të vendosë vet drejt për veten e saj, kemi kontaktuar prindin (5 prill 2023) për të parë nëse një veprim i tillë është bërë nga ndonjë trysni nga jashtë. Në bashkëbisedim me ta çështja ka kaluar te familja.”– thuhet në reagimin e shkollës “Emin Duraku” në Shtime.
Megjithëse familja e 15-vjecares theksojnë se drejtori i shkollës ku Sara i vijon mësimet i ka paralajmëruar se vajza e tyre do të përjashtohet.
“Drejtori kështu ka thanë; vajza le të vejn me ju te shpia deri të marten, dhe konsultohu edhe me vajzen, boni trysni le ta heqë mbulesën, mos ta prishë atmosferën në shkollë. Ditën e marte tha që vjen vajza me shami, ti japim vërejtje me shkrim. Të mërkurën tha vjen prap me mbulesë. Ajo s’ka çka lypë ma në shkollë. Përjashtimi , brina nuk ka, se vajza që tri ditë është në shtëpi,:- tha prindi i 15-vjeçares.
Por nga shkolla theksojnë se vajza në fjalë nuk do të mbetet e pa shkolluar për këtë shkak.
“…..këtu nuk ka asnjë vendim për suspendim a largim nga shkolla. Lirimi i nxënësit nga procesi mësimor është e drejtë ligjore që drejtori mund t’i japë nxënësit deri në 10 ditë në rast se kjo është në të mirë të fëmijës (Shih Ligjin për Arsim Parauniversitar). Ajo që ne kemi rekomanduar janë tri ditë që prindi dhe fëmija të bashkëbisedojnë duke ua bërë që qartë të gjitha udhëzimet që rregullojnë këtë çështje dhe duke i garantuar se do të trajtohet seriozisht”.