Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim për nesër në mëngjes liderët e partive opozitare.
Nga AAK kanë konfirmuar për Gazeta Blic se kryetari i partisë, Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në këtë takim.
“Në adresë të kryetarit Haradinaj ka ardhur një ftesë për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes. Tema e diskutimit është diskutimi për zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Kryetari Haradinaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim”, ka thënë për Gazeta Blic Lulëzim Blaka, Drejtor për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në AAK.
Përpos Haradinajt, pozitivisht ftesës i është përgjigjur edhe PDK.
Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
“Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim”, ka thënë ai.
Në takim do të marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiiku.
Kështu bëjnë të ditur burime të Gazeta Blic./Gazeta Blic