Marrin paga astronomike, dështojnë totalisht në punën që kryejnë dhe nik po i prekë askush. Njëri avulloi direkt vetëm vitin e fundit 120 milionë euro të kosovarëve me investime të gabuara, ndërsa tjetri iu siguroi bankave fitime enorme në kurriz po të kosovarëve.
Ligji për pagat në sektorin publik i miratuar në Kuvend me koeficientin në vlerë prej 105 euro, nuk prek edhe rrogat enorme të larta në disa institucione të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës dhe në ndërmarrjet publike.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli, do të vazhdojnë të mbesin ndër më të paguarit në vend.
Në bazë të deklarimit, Guvernatori Mehmeti merr pagë mujore 4 mijë e 430 euro apo 53 mijë e 165 euro, neto në vit. Guvernatori gjatë vitit të fundit me punën e tij u ka siguruar bankave fitime enorme prej 140 milionë eurosh neto, duke i rrjepur kosovarët deri në palcë.
Pagë të përafërt me guvernatorin ka edhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli. Ai merr pagë 4 mijë 128 euro në muaj ose 49 mijë e 536 euro, neto në vit. Ndonëse, performanca e Trustit me kursimet e qytetarëve për vitin e 2022 ishte negative, e cila kulmoi me humbje rreth 120 milionë euro. Zalli paguhet nga paret tona për ti rritur ato. Por, ai kohën e fundit vetëm po i zvogëlon ato me vendime të gabuara, përderisa jo vetëm që nuk i ulet paga, por nuk e thrret as në përgjegjësi askush për avullimin e pareve të kosovarëve.