3 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Bien çmimet e naftës në Kosovë, produktet tjera vazhdojnë të mbesin shtrenjtë

Rekomandime

Çmimet e naftës dhe benzinës në Kosovë janë liruar, por jo edhe të produkteve apo shërbimeve të tjera.

- Advertisement -

Ato kanë rënë për rreth 40 centë, përkatësisht 15 centë, krahasuar me gushtin e kaluar, kur kanë qenë në kulmin e tyre.

Hov u kanë dhënë çrregullimet në tregje që ka shkaktuar lufta e Rusisë në Ukrainë.

ADVERTISING

- Advertisement -

Shtrenjtimi, pastaj, ka shkaktuar efekt zinxhiror – janë rritur çmimet e shumë produkteve të konsumit dhe të shërbimeve.

Elizabeta nga Istogu paguan 5 euro biletën e autobusit për në Prishtinë, ku edhe studion.

- Advertisement -

Deri verën e kaluar, çmimi për këtë relacion prej 78 kilometrash ka qenë 4 euro.

Përkundër lirimit të naftës, çmimi i biletës së autobusit ka mbetur i njëjtë, thotë Elizabeta, e cila udhëton tri herë në javë.

“Për studentë, çmimi është i papërballueshëm. Unë nuk punoj, prindërit më financojnë. Kjo është barrë për ta, sepse kanë edhe shpenzime të tjera”, thotë Elizabeta për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm është edhe çmimi nga Gjakova në Prishtinë – 10 euro për vajtje ardhje.

Fiona Kaqi, studente e nivelit master në Prishtinë, thotë se i bie të udhëtojë një herë në javë në këtë relacion dhe këtë e konsideron fat.

“Vitin e kaluar, kur kam qenë studente e nivelit ‘bachelor’, [kam udhëtuar më shpesh]. Ka qenë barrë shumë e madhe për prindërit, pasi, në të njëjtën kohë, kanë studiuar edhe vëllezërit dhe motra”, tregon Fiona për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit mbi 12 për qind dhe me rrogë mesatare rreth 480 euro.

Në Shoqatën e Transportueseve Rrugorë të Kosovës thonë se çmimet e biletave nuk i ndikon vetëm çmimi i naftës. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Jakup Berisha, pajisjet dhe mirëmbajtja e autobusëve janë shtrenjtuar ndjeshëm.

“… pastaj ndikon edhe rroga. Një shofer që në këtë periudhë të vitit të kaluar pagën e ka pasur 400 euro, aktualisht e ka 600 euro, apo edhe 50 për qind më shumë”, thotë Berisha.

Çmimet e produkteve të konsumit kanë mbetur, po ashtu, pa u ndryshuar. Në disa raste, ato kanë vazhduar të rriten, pavarësisht lirimit të naftës, që është komponent bazë për transportin.

Teuta, një punonjëse e sektorit publik në Prishtinë, thotë se barra e çmimeve po shkon duke u rënduar.

“Shtrenjtimi vërehet shumë. Më herët kemi dalë më shpesh në restorante, tash dalim më rrallë. Artikujt elementarë i blejmë, sepse janë të domosdoshëm, mirëpo disa gjëra është dashur t’i kufizojmë”, thotë Teuta.

Pritet stabilizim i inflacionit

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, thotë se këtë vit pritet stabilizim i inflacionit.

“Do të thotë, inflacioni do të jetë më i ulët seç ka qenë vitin e kaluar, por jo domosdoshmërisht do të ketë rënie të çmimeve. Stabilizimi i çmimeve mund të jetë në nivelin që është tash”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, zgjidhja e vetme është përshtatja e pagave me çmime.

Në fillim të shkurtit, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit