Asociacioni vazhdon të jetë ‘mollë sherri’ për replika mes pozitës, opozitës por edhe ndërkombëtarëve.
‘Befasia’ më e madhe erdhi gjatë ditës se djeshme kur Ambasada e ShBA-së në Prishtinë doli me një deklaratë të ashpër kundër dy partive opozitare, LDK-së dhe PDK-së, për kundërshtimin e saj ndaj marrëveshjes evropiane.
Krejt kjo, për shkak të rreshtimit të tyre kundër marrëveshjes evropiane. Këto qëndrime të PDK-së e LDK-së, duket se kanë shqetësuar ShBA-të, ambasada e së cilës ka deklaruar se qëndrimet e dy partive më të mëdha opozitare të Kosovës, nuk përputhen me qëndrimet e tyre.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, u shpreh një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë.
“Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-ve për propozimin”, thuhet më tej në këtë reagim.
Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi se marrëveshjen evropiane e përkrahin edhe presidenti Biden e sekretari Blinken, pasi ky propozim do ta dërgojë Kosovën drejt stabilitetit, prosporitetit ekonomik e integrimit euroatlantik.
“Në nivelet më të larta të qeverisë, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë shumë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik” thuhet në përgjigjjen e ambasadës.
Por, si Ambasada e ShBA-së e reagim të fuqishëm ka bërë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai ka paralajmëruar opozitën që të mos e shfrytëzojë temën e Asociacionit për lojëra të brendshme politike. Rohde tu bëri thirrje partive opozitare që ta mbështesin planin franko-gjerman, duke ua kujtuar se partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi.
Rohde ka theksuar se Asociacioni i ka mbetur Qeverisë Kurti “trashëgimi” nga qeveritë e kaluara, që janë përbërë nga opozita e sotme.
“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”, ka deklaruar Rohde.
Ai i kërkoi opozitës që ta mbështesë planin franko-gjerman, derisa ua përmendi përgjegjësinë që kanë.
“Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar Rohde për Radio Kosovën.
Hashim Thaçi hedh nënshkrimin historik drejt themelimit të Asociacionit
10 vite më parë në Bruksel u arrit marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë, ku në krye të ekzekutivit kosovar ishte Hashim Thaçi.
Pas 10 raundesh bisedimesh në nivele, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, deklaroi se negociatat kanë përfunduar dhe se tekstit i janë vënë firmat nga të dy kryeministrat, Daçiq e Thaçi.
Drafti me 15 pika ishte prezantuar gjatë raundit të 9 të bisedimeve nga Baronesha Catherine Ashton. Pala kosovare është shprehur e hapur për pranimin e draftit, ndërsa ka qenë më e tërhequr pala serbe. Pala kosovare i ka pranuar pikat që kanë të bëjnë policinë rajonale dhe komunale si dhe atë për krijimin e një gjykate të qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës.
Në bazë të këtij drafti parashikohet që komuniteti lokal serb, të mund të zgjedhë vetë krerët lokalë të policisë, ndërsa përbërja e forcave të policisë do të reflektojë strukturën etnike në terren. Drafti propozon gjithashtu që të ketë më tepër gjykatës nga minoriteti serb. I ashtëquajturi bashkësi e komunave serbe në veri, me pushtet tejet të gjerë do të përfshijë katër komunat, veriun e Mitrovicës, Leposavicin, Zvecanin dhe Zubin Potokun.
Çka thotë Kushtetuta?
Edhe pas 10 vitesh Asociacioni ende nuk është krijuar, shumë qeveri janë ndërruar në Kosovë por asnjëra nuk ka pasur guximin të bëjë hapa tutje për të realizuar këtë marrëveshje. E krejt kjo për shkak se në 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli me rekomandime se disa pika bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Kërkesa ishte për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje dhe ajo ishte dërguat në Kushtetuese nga presidentja e vendit e asaj kohe, Atifete Jahjaga.
Në vendim thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.
“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhet në vendimin e GJK-së ndër të tjera.
Ndërkohë, edhe sot kjo temë është aktuale dhe presioni po rritet dita-ditës për themelimin e Asociacionit. Qeveria Kurti ka bërë të ditur në shumë raste se nuk do të ketë asociacion njëetnik.