Presidentit të Rusisë Vladimir Putin po i kërkohet të përdorë një raketë bërthamore nënujore për të goditur Britaninë, nëse trupat e NATO-s do të dërgojnë forca ushtarake në Ukrainë.
Ka qenë gjenerali rus në pension Yevgeny Buzhinsky, ai i cili ka bërë thirrje nga televizioni shtetëror rus, për sulme ndaj Britanisë me këtë raketë nënujore të quajtur Poseidon, që sipas tij do të shkaktonte një valë cunami radioaktive prej 1000 metrash.
Nëse ky plan do të vihej në zbatim, sipas gjeneralit, i cili është edhe kryetar i Qendrës Ruse për Kërkimin e Politikave, Britania do të fshihej nga harta dhe nuk do të ekzistonte më si shtet.
Buzhinsky kërcënoi Mbretërinë e Bashkuar edhe me një sulm nga raketa 14-katëshe Sarmat 2, raketa më e madhe bërthamore e Rusisë.
Po ashtu Vladimir Solovyov, i njohur si krahu i djathtë i Putin ka deklaruar se nëse Poseidon do të aktivizohej dhe do të godiste Britaninë, do të shkaktonte një “cunami”.
Kërcënimet besohet të jenë rezultat i mbështetjes së vendosur të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, e cila u bë vendi i parë i NATO-s që njoftoi se do të dërgonte 14 tanke beteje të gjeneratës së ardhshme në vendin e shkatërruar nga lufta. /euronews.al