Raundi i parë i zgjedhjeve në Mal të Zi është duke shkuar drejt përfundimit, ndërsa tashmë dihet që do të ketë raund të dytë.
Kjo pasi që pas numërimit të mbi 80% të votave, Milo Gjukanoviq, nuk do të arrijë të mbledhë më shumë se 50% të votave.
Në zgjedhjet më të rëndësishme në vitet e fundit në Mal të Zi, sipas rezultateteve të para, do të duhet edhe një raund i dytë pasi që askush nuk ka arritur që të fitojë mbi 50% të votave.
Vendi po kalon nëpër krizë politike pasi që Gjukanoviq shpërndau edhe Kuvendin disa ditë para zgjedhjeve për president ndërsa kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, është shkarkuar disa muaj më parë por asnjë parti nuk ka arritur të krijonte shumicën e nevojshme për të emëruar kryeministër të ri.
Bazuar në 84 për qind të mostrës së përpunuar, Milo Gjukanoviq ka fituar 35,4 për qind të votave, Jakov Milatoviq 29,2 për qind, ndërsa kandidati tjetër më i afërt, Andrija Mandiq, ka 19,1 për qind të votave.
Kështu, bazuar në sistemin zgjedhor në Mal të Zi, pritet që të ketë edhe një raund të dytë të zgjedhjeve pas dy javëve, ku pritet të garojnë dy kandidatët që kanë më së shumti vota në raundin e parë.
Pas Gjukanoviqit, i dyti pritet të dalë Jakov Milatoviq, një ekonomist i ri nga Podogorica.
Milatoviq është një ekonomist malazez i cili ka shërbyer si ministër i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik në kabinetin e Zdravko Krivokapiq nga 4 dhjetor 2020 deri më 28 prill 2022.
Gjatë mandatit të tij, Milatoviq dhe ministri i financave Milojko Spajić prezantuan dhe zbatuan programin e reformës ekonomike “Evropa tani”. Kështu tani quhet partia e tyre që u krijua vetëm pak vite më parë.
Ai ka treguar për bindjet e tija politike në shumë intervista, ku ka thënë se ka votuar për pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia, por që nuk ka besuar që vendi do të rritet me një “frymë anti-serbe”
“Unë votova për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006. Dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë se Mali i Zi do të ndërtohej mbi ndonjë tezë të fortë antiserbe, siç ishte në vitet e mëparshme”, citohet të ketë thënë ai në nëj intervistë për kuririn serb.
Ndërsa në një editorial të publikuar në median serbe politika.rs, ai avokon për lidhje shumë të afërta me Serbinë dhe e cilëson si natyrale bashkëpunimin e thellë mes këtyre dy vendeve në çdo fushë.