Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se synim i tij është që t’i kthejë Prishtinën dhe Beogradin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë një marrëveshje midis tyre.
Në një intervistë për mediat serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Palmer tha se mendon se mund të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila, sipas tij, do ta transformonte gjithë Ballkanin, do t’i hapte rrugën evropiane Serbisë dhe Kosovës dhe do të ishte “një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHBA”.
Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, tha Palmer, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara.
Dy palët i kanë pezulluar bisedimet prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, nëntorin e kaluar.
Përkundër kërkesave të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Kosova nuk ka vepruar.
Autoritetet serbe këmbëngulin se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën pa heqjen e taksës.