11.7 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Rrëfimi i personit që u filmua me kallash në dorë pas vrasjeve në Mati 1

Rekomandime

Prishtina është tronditur nga ngjarja e pasdites së 5 shtatorit. Një kontest rreth një prone rezultoi me përleshje me armë në rrugët e lagjes Mati 1. Dy persona janë vrarë e dy të tjerë janë të plagosur ndërsa në pranga kanë përfunduar dy të tjerë. Versionin e ngjarjes e kanë dhënë para organeve të ndjekjes dy nga të arrestuarit.

- Advertisement -

KALLXO.com ka siguruar deklaratat e Miftar dhe Naim Mehmetit, njëri nga personat që u pa në pamje me kallashnikov në dorë.

Çfarë i parapriu ngjarjes?

“5 shtator, ditë e enjte në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë, familjet Rafuna dhe Mehmeti u përfshinë në një përleshje pas një kontesti pronësor”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

- Advertisement -

Fadil Rafuna dhe i ndjeri Mufail Rafuna kishin larguar kubet e betonit nga shkallët e lokalit të cilat ishin vendosur nga Naim, Miftar dhe Bashkim Mehmeti. Dosja e Prokurorisë sqaron se pas largimit të tyre kishin filluar sharjet dhe përleshjet fizike, ku në përleshje e sipër Mufail Rafuna dhe Naim Mehmeti kishin nxjerrë revolet dhe kishin shtënë në drejtim të njeri- tjetrit, duke i shkaktuar lëndime të rënda njëri-tjetrit.

Dosja e prokurorisë sqaron se nga të shtënat e Bashkim Mehmetit kishin pësuar lëndime Fadil Rafuna dhe Gani Rafuna (kalimtar i rastit). Sipas Prokurorisë, i ndjeri Mufail Rafuna e kishte plagosur në këmbë Naim Mehmetin. Mufaili më pas ishte qëlluar për vdekje. Dosja e Prokurorisë sqaron se Naim Mehmeti, i plagosur në gishtin e këmbës, kishte shkuar në banesën e tij dhe kishte marrë Automatikun AK 47, ndërsa ishte ndaluar para banesës nga një polic i Kosovës. Në versionin e tij, Naim Mehmeti ka rrëfyer ngjarjen që për “fitil” kishte një rrethojë metali.

- Advertisement -

“Punëtorët kanë qenë duke punuar në shaktë para lokalit, ne i kemi lokalin me gjatësi prej 18 metrash përballë rrugës dhe punëkryesi që ka pasë me ndërtu shaktën aty, ku ne e kemi mexhën, e kanë qitë një anësore me i mbrojnë shkallat”, tha fillimisht Mehmeti. Ai tha më pas se kjo anësore iu kishte penguar Fadil dhe Mufail Rafunës.

“Mufaili edhe Fadili i kanë nxjerrë anësoret prej aty, unë jam nisë me folë me ta edhe me kqyrë çka është puna. Për një moment Mufaili e ka raportitë alltinë, ndërsa unë kam ikur rreth lokalit tim, ndërsa ai ka hy përmes derës së lokalit me m’dal përpara dhe më ka gjujtë ku më ka rroke në këmbën e majtë në gisht”, tha para gjykatës Naim Mehmeti.

“Unë kam ikë dhe kam shku në banesë, e Bashkimi ka qenë aty anash t’u nejtë bashkë me babën. Unë kam shku shkallëve në kat të dytë dhe kur i kam dëgju krismat e kam ditë që po gjujnë ata dhe kam hypë në katin e tretë ku e kam pas një kallash dhe e kam marrë”, shtoi ai.

“Pasi kam dalë poshtë shkallëve, babën e kam taku në hyrje ku u mundu me më majtë, ndërsa e pyeta ku është Bashkimi, ai më tha Bashkimi ka mbetë i vrarë. Dhe si kam dalë më është afru një polic dhe ma ka kërku armën dhe ia kam dorëzu, ndërsa e kam pa Bashkimin në tokë duke gjëmuar”, tha ai.

Naim Mehmeti, deklaratën e tij e përfundoi me sqarimin se pas arrestimit i kishte parë të shtrirë në tokë edhe pjesëtaret e familjes Rafuna, Fadilin dhe Mufailin.

Versioni i Miftar Mehmetit

Miftar Mehmeti nga familja Mehmeti ka rrëfyer për ngjarjen ku i mbeti i vrarë djali Bashkimi.

“Mufaili ka shkrepë me breshëri plumbash pa ndalë sikur po gjuan në kukulla apo në trajnime, ndërsa unë rreth pesë metra larg tij kam qenë edhe e kam dëgjua krismën po nuk ma ka marrë mendja, sepse unë isha i dhënë pas Naimit, i cili ishte plagos në gisht të madh”, ka thënë Miftar Mehmeti para gjykatës.

Ai tutje tregoi si filluan të shtënat mes Bashkimit dhe familjes Rafuna.

“Ka ardhur Bashkimi me duar në xhepa pas gjuajtjes dhe unë u afrova aty. Mufaili Bashkimit i ka thënë: Qit të psh… n’të, dhe gjuante vetë me pushkë përpjetë, ndërsa Bashkimi i ka thanë: o djalë këqyre ku e kam, dhe ia ka tregu armën që e ka pasë në bel. Në atë moment Mufaili ia ka drejtu pushkën, si dhe Bashkimi në atë moment e ka nxjerrë e ka gjujtë me revole ndërsa të tretë janë gjujtë mes vete”, tha Miftar Mehmeti.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit