GjykataThemelore e Prishtinës e ka anuluar vendimin për revokimin e leje-qëndrimit të shtetasve turq në Kosovë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga kjo gjykatë, ku ndër tjera thuhet se pas dëbimit të shtetasve turq, përfaqësuesit ligjorë kanë ngritur padi me të cilën kanë kërkuar anulimin e vendimeve për revokimin e lejeqëndrimeve dhe vendimeve për urdhërlargim me forcë të cilat ishin nxjerrë në shkelje të dispozitave ligjore të Kushtetutës dhe Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Në mars të vitit 2018, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ua ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit të Turqisë.
Tash Gjykata e Themelore ka aprovuar si të bazuara kërkespaditë e paditësit dhe ka anuluar vendimet për revokimin e leje qëndrimit të Mustafa Erdem dhe Cihan Ozkan ndërsa për shtetasit turq tjerë lëndët janë ende në procedurë, për shkak të vonesave në gjykatë ende nuk është vendosur mbi to.
“Gjykata e Apelit me Aktgjykimet AA.nr. 222/2019 dhe AA.nr. 223/2019 të dt. 28.08.2019 i ka vërtetuar Aktgjykimet e Gjykatës Themelore për Mustafa Erdem dhe Cihan Ozkan duke refuzuar ankesat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo nënkupton që personat në fjalë tashmë kanë lejeqëndrim në Kosovë dhe Vendimet e MPB me të cilin i janë revokuar leje qëndrimet me arsyetimin se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare janë anuluar nga Gjykata”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore ka anuluar edhe vendimin për Urdhërlargim me Forcë për Kahraman Demirez të cilin e ka kthyer në rivendosje pranë Komisionit për Ankesa në MPB,për shtetasit turq tjerë lëndët janë ende në procedurë për shkak të vonesave.
“Gjykata e Apelit me Aktgjykimin AA. Nr. 241/2019 të dt. 28.08.2019 ka refuzuar ankesën e MPB dhe ka vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore për Kahraman Demirez”, thuhet tutje.
Sipas MPB-së, në kohën kur u mor vendimi, kjo është një procedurë ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës.
Kujtojmë edhe njëherë se në fund të muajit mars të vitit 2018, Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin e institucioneve “Gulistan”, Mustafa Erdem, zëvendësin e tij, Yusuf Karabina, drejtorin Kaahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan H.Gunakan, të cilët më pas u dëbuan.