Udhëheqësi i koalicionit Sloboda, Nenad Rashiq, thotë se votat që Lista Srpska i ka marrë në zgjedhjet e gjashtë tetorit, e sidomos ato në komunat me shumicë shqiptare janë më shumë në numër sesa trupi elektoral i kësaj partie. Këto deklarata Rashiq i ka bërë në një përgjigje për Gazetën Express, pak ditë pasi që koalicioni me të cilin ai garoi doli me një përqindje të vogël nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.
Nenad Rashiq në zgjedhjet e gjashtë tetorit, hyri si kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit Sloboda. Sa zgjati fushata zgjedhore shpeshherë i njëjti ka thënë në media se nuk po munden as të bëjnë fushatë, nga frika që kanë e kërcënimet që po marrin. Rashiq akuzonte Listën Srpska se po i detyron qytetarët që të votojnë për ta.
Pas gjashtë tetorit, koalicioni Sloboda doli me shumë vota më pak se kundërshtarët e tij. Lista Serbe mori 6.61% për qind derisa koalicioni i udhëhequr nga Rashiq doli me 0.09%.
Për këtë arsye, Rashiq thotë se mund të jetë manipuluar numri i votave, pasi që i njëjti shton se Lista Srpska ka dalë me më shumë vota në komunat me shumicë shqiptare se sa që kanë elektorat.
“Lista Srpska i ka marrë 8.700 vota në komunat me shumicë shqiptare, ndërkohë jashtë komunave serbe nuk ka më shumë se 2 mijë votues”, ka deklaruar Rashiq.
Ai dy ditë më parë është drejtuar në Prokurorinë Speciale për të dorëzuar materiale që vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor. I njëjti ka deklaruar se votat janë manipuluar nga Lista Serbe.
“Kemi qenë që të vërtetojmë çka po ndodh me ankesat që i kemi bërë. Besoj që ka material të mjaftueshëm për pikëpyetjet në shumë vende veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, ka thënë dje Rashiq.
Në listën që është publikuar deri më tani online, Lista Serbe numëron 52 mijë e 620 vota.
Gazeta Express ka numëruar votat që ky koalicion ka marrë në komunat me shumicë serbe.
Në Leposaviq janë 6.777 vota, në Zveçan 4.148 vota, në Zubin Potok 4.151, në Shtërpcë 5.054 vota, në Graçanicë 7.887 vota, në Novobërdë 2.931 vota, në Ranilluk 2.536 vota, në Kllokot 1.196 vota e në Partesh 1.963 vota, në Mitrovicën e Veriut 7117 vota.
Të gjitha këto të llogaritura bashkë janë 43 mijë e 760 vota. Lista Serbe ka marrë në komunat me shumicë shqiptare 8 mijë e 860 vota. Në këtë numër nuk përfshihen votat me kusht dhe ato të ardhura nga Serbia.