Më në fund, shtatorja e ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, do të gjejë vend në kryeqytet, por jo në sheshin që mban emrin e tij.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë një hapësirë ndërmjet oborrit të Qeverisë dhe Parlamentit, raporton KTV.
Këtë propozim e ka bërë kryetari Shpend Ahmeti të enjten në fillim të mbledhjes, ndonëse rendi i ditës ishte caktuar më herët.
Ahmeti ka thënë se kjo kërkesë e familjes Jashari ka shkuar në adresë të tij që në muajin gusht, por nuk e ka publikuar para zgjedhjeve për të larguar ndonjë keqkuptim.
“Është kërkesë e tyre të bëhet më shpejtë për shkak të 28 nëntorit. Të vendoset në mes të Skënderbeut dhe Ibrahim të Rugoves, i bie te hyjë ne një pjesë te kuvendit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndonëse ky propozim u miratua me 30 vota për, asnjë kundër dhe me një abstenim, disa këshilltarë komunalë të opozitës u ankuan se për këtë kërkesë janë njoftuar shumë vonë nga komuna, dhe se në kushte të tilla nuk mund të gjejnë lokacionin më të përshtatshëm.
Legjislativi iu kthye praktikës së mëparshme të përplasjeve kur kryetari propozoi një tjetër pikë.
Shpend Ahmeti, që si rrallëherë këtë vit mori pjesë në seancë, u përplas me Egzon Azemin e Vetëvendosjes rreth një kredie që kryetari tha se duhet ta marrin për projektin e qyteteve të gjelbra në Evropë.
Egzon Azemi këshilltar komunal nga LVV ka deklaruar: “Pse spo aplikojmë në fondin e Kosovës, pse duhet të marrim borxh diku tjetër. Nëse ju teprojnë 48 milionë euro pse të marrim borxh. Ka drejtori që se ka harxhuar asnjë cent për investime në tre muaj dhe ti po don me na shti në borxh. Nuk ke arrit me mbulu as kredinë e parë”.
Kryetari Ahmeti pati një propozim për Azemin.
“Kisha propozu në mbledhjet e mjnistisë të finacave me të ftu se ndoshta qëllilimsht po bohet propagandë. Ose është keqkuptim i qëllimshëm ose se kupton dhe te kisha lutë me shku në këtë trajnim sepse është i lirë”, ka deklaruar Ahmeti
Përplasja ndërmjet dikur dy bashkëpartiakëve vazhdoi edhe më tej.
“Trajnimet ish dashtë me i ndjekë t’i sepse je kryetar e unë jom asamblist. Te TM3 s’ke shpenzu para. A e dini që qeveria ka fond për këtë. Mos me bo quiz kryetar (shpendi po te pyes se po fol palidhje)”, ka thënë Egzon Azemi.
Ahmeti më pas u largua nga mbledhja, duke mos pritur diskutimin për raportin financiar të tremujorit të tretë, ku është kritikuar për mosshpenzim të parave të ndara për investime kapitale.
Me vonesë në këtë diskutim erdhi edhe vetë drejtori i këtij dikasteri, Gëzim Mehmeti.
Në këtë mbledhje, Kuvendi Komunal ka caktuar Fiknete Bejtën dhe Mustafë Krasniqi si aksionarë të ndërmarrjes publike “Kuzhina Qendrore”.